Në mbledhjen e Kryesisë së IRDK-së,
të mbajtur me 12.01.2020, është diskutuar lidhur me dokumentin e hartuar nga
grupi punues që përmbledh nevojat e komunitetit që duhet adresuar te
institucionet e Kosovës dhe për zhvillime tjera politike. Pas diskutimeve të
anëtareve të Kryesisë, është miratuar dokumenti me nevoja të identifikuara dhe
kërkesa specifike për trajtim nga Qeveria e Kosovës dhe Draft Marrëveshja për
pjesëmarrje të IRDK-së në koalicionin Qeveritar i cili është hartuar nga Grupi
punues i përberë nga Fridon Lala, Fazli Stollaj, Mustafë Myrtaj, Muharrem
Asllani dhe Mergim Neziraj. Para anëtarëve të Kryesisë, Kryetari i IRDK-së ka
paraqitur raportin e shpenzimeve financiare gjatë fushatës zgjedhore. Në këtë
rast Kryesia e IRDK-së falënderon publikisht degën e IRDK-së në Zvicër dhe
Gjermani, gjegjësisht kryetarët e këtyre degëve z.Flamur Ajetaj dhe z.Afrim
Kryeziu, për mbështetjen e madhe gjatë fushatës zgjedhore.
Për t’i shmangur keqkuptimet lidhur
me disa deklarata të PLE-së në rrjetet sociale, ku është apostrofuar IRDK, Kryesia
e IRDK-së vendosi që për opinionin të jep disa sqarime në këtë
Komunikatë
Ne si parti përfaqësuese e
komunitetit Egjiptian në Kuvendin e Republikës së Kosovës jemi ithtarë dhe përkrahës
të çdo bashkëpunimi dhe iniciative që për qëllim kanë avancimin e pozitës së
komunitetit në shoqërinë kosovare. Ne i bëjmë thirrje për përafrim të gjithë
aktereve, pa dallim, të cilët punojnë në ngritjen e mirëqenies së komunitetit.
Jemi të hapur për çdo lloj bashkëpunimi të ndërsjellët, me të vetmin qëllim të pa
kompromis, ngritjen e mirëqenies së komunitetit Egjiptian.
Partia Egjiptiane IRDK, fton partinë
tjetër të komunitetit Egjiptian, Partinë Liberale Egjiptiane, parti e dalë nga
IRDK, që të krijojmë hapësirë bashkëpunuese në të mirë të përfitimit të
komunitetit. Ftesat dhe afatet për bashkëpunim të bëra në rrjetet sociale nga
ana e PLE-së, IRDK i sheh si qesharake dhe aspak serioze. IRDK është partia e
parë politike egjiptiane, është parti serioze dhe ka strukturat e saj. IRDK është
e gatshme për bashkëpunim me PLE, mirëpo refuzon kategorikisht të bëhet pjesë e
lojës së iniciuar të PLE-së që “bashkëpunimin”
të asocion me pazar politik.
IRDK përfaqësohet me një deputet në
Parlamentin e Kosovës dhe ne kemi hisen tonë të përgjegjësisë politike. Ne kemi
obligim ndaj komunitetit që interesat e komunitetit ta vendosim në rend të
parë. Deputeti i IRDK-së z.Elbert Krasniqi është takuar me deputetin e PLE
z.Veton Berisha për mundësinë e bashkëpunimit sa i përket grupeve parlamentare.
Nga këto biseda me të gjithë pjesëtarët e komuniteteve jo shumicë janë vërejtur
përpjekje për të shfrytëzuar vetëm formalisht IRDK-në për interesa personale të
grupeve të caktuara të deputeteve. Ne kemi obligim për pozicionimin e duhur
politik te IRDK-së dhe nuk i kemi borxh për rahatimin e individëve nga partitë
tjera.
IRDK është shumë e interesuar që të
bashkëpunoj me PLE dhe PAI për t’u koordinuar në adresimin e nevojave
prioritare të komunitetit te Qeveria e Kosovës dhe te institucionet tjera. IRDK
është e gatshme që menjëherë të bashkëpunoj me PLE, PAI dhe partitë tjera të
komunitetit në mënyrë që të dalim të bashkuar në zgjedhjet lokale të vitit 2021.
IRDK është e interesuar për
bashkëpunim me PLE-në. Konfrontimet dhe tensionet nuk janë instrumentet tona
politike. Jemi në pritje të themelimit të Qeverisë së Kosovës për të filluar që
të bëjmë punë të mira.