IRDK

Elemente reflektimi mbi Ballkano-Egjiptianët

foto

Data e publikimit: 09.08.2013-09:16 AM

Normal 0 false false false EN-US X-NONE _X-NONE_ MicrosoftInternetExplorer4

dr M. Courthiade

INALCO PARIS

 

ELEMENTE REFLEKTIMI MBI BALLKANO-EGJIPTIANET

 

Në prag të këtij shekulli, kur disa vizione na dukeshin të fiksuara mirë, mjaft gjëra vihen përsëri në dyshim, midis të tjerash peizazhi njerëzor i Evropës, për shembull del si pyetje nëse është e mundur “të zbulohej” në Europë një minoritet prej qindra e mijëra shpirtrash.

Kriza jugosllave jo vetëm na tregoi se po, por edhe ripruri si pyetje teorike se çfarë është një minoritet kombëtar, bile nëse ekziston apo jo një përcaktim i vetëm i këtij nocioni, i vlefshëm për çdo minoritet. Deri në mes të shekullit 19, një minoritet kuptohej si një grup që dallohej nga mazhoriteti për arsye fetare (koncept që ka mbijetuar edhe në disa treve të Jugosllavisë deri më sot), kurse më vonë, minoriteti u përcaktua me anë të etnisë, të gjuhës e të kulturës, dokeve e zakoneve. Mirëpo doli se edhe ky koncept në disa raste nuk është i mjaftueshëm për të pasqyruar të gjitha aspektet e të qenit minoritar. Ngjarjet e trishtueshme që kanë dhimbsur kaq shumë Jugosllavët kanë drejtuar dritën e aktualitetit mbi Ballkan, duke nxitur edhe reflektimin në këtë fushë: ndërsa shtypi rimerrte gati njëzëri havazin e gjoja ngatërresës shpresëhumbur e të pakuptueshme të minoriteteve ballkanike e rivendoste në modë fjalën bastarde të “ballkanizimit”, analiza shkencore tregonte se është pothuaj gjithnjë e mundur të paraqiteshin grupet etnike në një listë të caktuar[1], edhe pse një paraqitje e tillë ngjall shpesh mjaft diskutime, nisur nga fakti që jo rrallë numri e emri i grupeve ndryshon nga një burim në tjetrin. Pikat e mospajtimit janë sidomos të lidhura me mënyrën e trajtimit të grupeve; faktikisht ekzistojnë:

-          grupe jo shumë të mëdha dhe/ose "të padukshëm", por nganjëherë autoktone; mund të flasim për minoritete punktuale për sa i përket shtrirjes së tyre gjeografike (mund të shtrihen në një, dy ose disa fshatra; është rasti për shembull i Goranëve në malet Sharr ose i Kajnasëve afër Korçës);

-          grupe të tjera pa gjuhë specifike, por të konsideruara si veç nga popullsia mbizotëruese dhe/ose nga ato vete (mund të bëhet fjalë në disa raste për "kasta" në kuptimin e gjerë të fjalës) – është rasti i "Egjiptianëve" që janë objekti i këtij artikulli;

-          emigrantët, më të herët ose më të vonshëm;

-          grupet që, sipas disa burimeve, dallohen nga njëri tjetri por që, sipas burimeve të tjera, përbëjnë vetëm një etj... (grupe me disa emërtime ose grupe shumë të afërta njëri tjetrit).

Me gjithë këto mospajtime, është zakonisht e mundur të gjendet një gjuhë e përbashkët. Plasja e luftës në Dardani (ose Kosovë[2], Kosova etj...) e pruri për herë të parë emrin e ashkalive, egjiptasëve, evgjitëve, jevgjëve e grupeve të tilla, të përzier pak a shumë me rromët (ende shesh të njohur si “ciganë” ose “gitanë” nga laikët). Duhet vënë dukje që termi "gitan" i kushtohet në mënyrë ekskluzive botës spanjolle e jugo-amerikane; që të flasësh për "gitanët" e Jugosllavisë është aq e saktë sa të flasësh për goranët e Spanjës… Por shushatja e gazetarëve, tani e mbështetur në këtë kuptim të gabuar të mahnitshëm nga përkthimi i një titulli filmi me famë botërore do të ishte mirë që t’i detyronte fjalorët të rishikojnë kolonat e tyre për korrigjim – gjë që nuk mund të pritet nga gazetaret se nuk janë mësuar të informohen dhe të azhurnojnë njohuritë e tyre...

Njerëzit kompetentë e dinë fare mirë se fjalët rrom e cigan nuk përputhen si kuptim; vetëm disa qarqe e paraqesin fjalën “rrom” si një formë “politikisht të rregullt" për “cigan”. Marrëdhëniet midis emrave të këtij tipi e realitetit etnik nuk kanë qenë shpesh e shprehur qartë[3]. Është ndoshta rasti këtu për ta bërë dhe të shtrojmë pyetjen: A ka një popull ballkanik i quajtur në Shqipëri jevg ose evgjit, në Jugosllavi dhe Maqedoni më shpesh Ashkali, dhe ne Greqi ??pt?? ?

 

Emra, origjina, etimologji

Me sa mbahet mend, Ashkalitë (ose Hashkalitë[4]) e kanë përcaktuar vetveten gjithmonë në Jugosllavi si një qenësi e quajtur Ashkali[5] dhe tërësisht e ndryshme nga ajo e rromëve, edhe pse fshatarët vendalinj, në injorancën dhe sidomos në mospërfilljen e tyre, i kanë ngatërruar shumë shpesh me rromët me të njëjtën etiketë cigani në serbo-kroatisht dhe magjup në shqip. Megjithatë, ata ishin emërtuar shpeshherë edhe me një emër të përcaktuar që kishte për rrënjë një nga format e fjalës "Egjipt" (nëpërmjet greqishtes): Gjupci, Edupci, Magjup, Jevg, Evgjit etj… ndërkohë që fjala turke që i përcakton, Kipt, vjen prej të njëjtës origjinë, por nëpërmjet arabishtes. Dimë që një "Egjiptjan i Prilepit" firmoste më 8 gusht 1867 një apel, i botuar në gazetën "Makedonya" të Stambollit, për mbrojtjen e këtij komuniteti dhe të drejtave të tij fetare. Në të njëjtën periudhë, enciklopedisti shqiptar Sami Frashëri përdorte fjalën “Evgjitëri” për të emërtuar Egjiptin, në enciklopedinë turke prej gjashte volumesh Kamus ul alâl (1900).

Etimologjia e emrave të popujve dhe te grupeve njerëzore ka tërhequr shpesh vëmendjen e kërkimit onomastik nga pikëpamja e prejardhjes fillore, por nuk është më pak me interes të ndjekim historinë e tyre fjalëve, "udhën" e tyre, mund te themi në përdorimin e popujve, sepse ata rrëshqasin tepër lehtë nga një gjuhë në një tjetër, duke sjellë pas disa shekujsh keqkuptime, bile me kundërkuptime të rënda, të afta të shërbejnë si pretekst për barbarizama të ndryshme, siç ka qenë për fat të keq rasti për disa Ashkali në konfliktin e fundit kosovar, dhe sidomos që prej asaj kohe e më tutje.

Disa prej intelektualëve ashkali filluan të dëgjohen rreth viteve 80, duke u hequr si origjinarë të Egjiptit - pa qenë i mundur identifikimi formal i burimeve të tyre. Në ditët tona, disa pohojnë se paskan dëgjuar për këtë që nga fëmijëria e tyre nga goja e baballarëve (termi “baballarët” është në fakt i dyshimtë sepse ai emërton jo vetëm prindërit por gjithashtu autoritetet kanunore; ashkalinjtë janë shumë të dhënë pas Kanunit). Siç thonë ata, baballarët thonin se ata vinin nga "Misiri" (jena ardhë pe Misiri), por këta të fundit nuk e dinin kuptimin e fjalës "Misir" ose shihnin në të emrin e një qyteti oriental ose të një krahine të Turqisë. Më vonë, ata zbuluan se flitej për Misir, dmth "Egjipt" në turqisht. Në fakt Egjipti në atë kohë ishte veç një krahinë e Turqisë otomane nëqoftëse marrim parasysh kufijtë e atëhershëm. Këtë lidhje e vërteton edhe etimologjia e fjalës magjup (< m + egjiptian ; cf. serbo-kroat jedup “Egjiptian”). Teza më e përhapur në disa qarqe të Ashkalive pohon që prejardhësit e tyre kishin arritur në Ballkan bashkë me Aleksandrin e Maqedonisë - për te cilin, është e vërtetë që të gjithë kërkojnë një fare atësinë ose gjirësine në këtë zonë… Ashkalitë e Ferizajt / Uroševac, të pasur, të fuqishëm nga ana politike dhe myslimanë të organizuar mirë, janë veçanërisht guximtarë në rindërtimin e tyre të historisë dhe nuk tërhiqen përballë asnjë anakronizmi, duke thënë për shembull që Aleksandri ka qenë myslimani i parë… Imagjinata e tyre nuk duhet të lerë të harrohet fakti që bëhet fjalë për një çështje me rëndësi dhe të dhimbshme për shume persona, për një temë që ka shkaktuar vdekje njerëzish, dhe që kjo fantazi nuk është gjë tjetër veçse pasoja e injorancës së tyre, vet pasojë e mosdijenisë së shkencëtarëve, e cilat rrjedh nga mospërfillja e tyre për këtë popullsi të përbuzur. Ata nuk kanë hallë që prek dhjetëra mijëra shpirtrash në Dardani, gati në të njëjtin numër në Maqedoni, akoma më shumë në Shqipëri dhe një numër të panjohur në Greqi, ne Turqi dhe gjithashtu në Bullgari (qyteti e krahina e Modonit, në malet Rodope).

Është e qartë që bota shkencore fillimisht nuk e mori shumë seriozisht këtë etnogjenezë vetëtimë por “kohën e fundit u zbuluam në Bibliotekën Vatikane dokumente që bëjnë të besueshme që në vitet 306 deri 327 në Maqedoni kanë ardhur Egjiptianë në formën e 150 000 ushtarëve këmbësorë e 150 000 kalorësve” (Pulton, 1995:142)[6]. Ky zbulim mund të ndryshojë e zhvillojë mendimet. Elemente të tjera në favor të kësaj teze janë evidencuar nga Duijzings: zbulimi i varreve egjiptiane në malet e Stogovos (Maqedoni), afër një miniere mangani (Mn) ku sipas traditës orale, Egjiptianët paskan punuar si skllevër; ikona të tipit kopt nga Egjipti (në argjil të pjekur) qenkan gjetur në po këtë rajon; dyqane të vegël egjiptiane shtronin udhën Via Egnatia (nga Durrësi në Konstatinopol); më së fundi festat e mëdha e Ashkalinjve (të paktën në Maqedoni) janë Shën Naum e Shën Athanas, fetarë në Aleksandri në shekullin e katërt. Së fundi, Marko Lopušina, i përmendur nga Robertina Ašuri dhe Rubin Zemon (1996:67) flet për një akt pronësie të nënshkruar në Strugë më datën 5 të muajit Ramadan 1295 (nuk qartësohet sipas cilit kalendar) midis Arabësh e Koptësh, të quajtur bij të diellit, pasardhës të Egjiptianëve hemitë që nuk e kishin pranuar asnjëherë islamizin.

Sot, egjiptasët mbështeten në burime shumë më të hershme për të forcuar tezën e pranisë së tyre në Ballkan që para erës sonë, veçanërisht në një ekstrat të Herodotit: "Në Maqedoni Fenicianët e hershëm shfrytëzonin minierat e arit, që shkrihej në një furrë të posaçme, para ardhjes se kolonëve egjyptianë" (përmendur nga Rubin Zemon, president i shoqatës ballkanike të egjiptasëve). Burime të tjera flasin për dymbëdhjetë rrugë të Athinës të banuara nga egjyptianët që praktikonin zanatet e tyre tradicionale. Tempuj de Izis janë zbuluar në Ohër (më parë Lyhnidos) dhe në Bitolë (Monastir, më parë Heraklea) dhe një vulë që tregon zhuzhingën legjendare është gjetur në rajon. Është e qartë që vazhdimësia midis kësaj pranie kaq të hershme të diasporës së një populli prestigjoz dhe kujtimeve të paqarta të një popullsie pjesërisht të anësuar, është e vështirë të vendoset. Teza për një ardhje të tyre në shekullin e katërt (burimet vatikane të zbuluara nga Hugh Poulton) pas persekutimeve kundër koptëve e qartëson skenën historike, nëqoftëse imagjinojmë që kontingjenti i shekullit të katërt erdhi në Ballkan për t’u ngulur atje, duke ditur nga kolonët e përparme me të cilët ata kishin ruajtur marrëdhënie, që mund të gjenin një strehë në trevat ballkanike. Por në mungesë dokumentacioni, hipoteza të tilla i përkasin më tepër rishkrimit të historisë sesa historiografisë e njohim çfarë gjëmë mund të shkaktojnë prirje të tilla, kur ka pretendime ta zëvendësojnë historinë.

Në entuziazmin e tyre, disa do të pretendojnë që egjyptianët e hershëm kishin shqipen si gjuhë kombëtare, që nënshkrimet e tyre nëpër piramide në Egjypt duhen interpretuar në bazë të shqipes dhe jo prej gurit te Rosetës (puna gjeniale e Shampolionit do të konsiderohej atëherë si “gjithçka jo të saktë” - por është e vërtetë që ata që shkruajnë fantazira të tilla nuk njohin as ekzistencën e Shampolionit dhe as atë të gurit të Rosetës) dhe që janë paraardhësit e tyre që sollën shqipen nga Egjypti në Shqipëri, ku ua mësuan Ilirëve. Edhe në kontekstin e injorancës përvëluese ku janë shkrirë e rishkrirë shumica e rindërtimeve historike të Ballkanit, thënie të tilla janë hutuese. Megjithatë për të shfajësuar Ashkalo-egjiptasët, duhet theksuar që ata nuk janë autorët e këtyre legjendave : ato u lëshuan nga një i ashtuquajtur filolog italian me origjinë arbëreshe, Xhuzepe Katapano, që mbas 20 vjet “kërkimesh”, botoi në 1948 që faraoni "Thot-Tat fliste shqip" dhe që “shqipja përdorej në Egjypt që prej 10 000 vjetësh para erës sonë”. Vetë zoti Ismail Kadare e solli më vonë këtë anekdotë në javoren Drita pa bërë në të vërtetë ndonjë kundërshtim dhe pa ironizuar mbi këto trillime. Si atëherë të kritikosh intelektualë fillestarë që mbështeten mbi këto grimca legjendash, në një kohë kur me shekuj identiteti i tyre është i mohuar, i mbytur, i asfiksuar, në një kohë kur ata vetë përbuzen nga rrethi i tyre ?

Përsa i përket etimologjisë së emrit Ashkali, ajo duket thjesht shqiptare: ashke "karbon druri" (arkaik për shqipen moderne eshkë "id"), e ndjekur nga një prapashtese turke li, li, , lu që do të ishte një emër zanati që sjell ndërmend farkën dhe lëndën e saj djegëse - metafoni a > e është vërtetuar për një numër të konsiderueshëm leksemash, siç e tregon gjuhëtari shqiptar Eqrem Çabej (1908 – 1978) në Fonetikën Historike, Prishtinë 1976, vol. 3 fq. 115. Disa etimologji të tjera janë vënë përpara, njërën prej të cilave do t’a përmendim këtu, mbasi tregon një fantazie të rallë: “Ajt shko ne Itali”[7] > Ashkali - e përmendur megjithatë në një broshurë të mirë kolektive të Minority Studies Society të Sofies (sh.bibl).

 

Krijimi i shoqatave egjyptiane

Në vitet 90 u shumëzuan në Jugosllavi shoqatat e egjyptianëve (Egipcani), dhe më pas të Ballkano-egjiptasëve, të shqiptaro-egjiptasëve për ata më shqiptarofilë etj... më shpesh konkurrente për shkak të grindjeve e ambicioneve vetjake, duke lënë të kuptohet që flitej çdo herë për etni të veçanta. Paradoksalisht, shoqatat që morën emrin tradicional Ashkali u krijuan të fundit - thjesht për faktin se ky emër, i vetmi i vërtetuar në terren prej shekujsh, u referohet Ashkalinjve më pak të shkolluar, fshatarë dhe zanatçinj, që nuk ndjeheshin të prekur nga lëvizjet e përkatësisë etnike. Lëvizja u nis nga Maqedonia (Bitola dhe Ohri veçanërisht). Në 1990, Nazmi Arifi krijoi shoqatën egjyptiane të Ohrit, me 4000 anëtarë. Në të njëjtin vit dhe vitin më pas, ata vendosën marrëdhënie me ambasadorin e Egjyptit në Beograd, fillimisht i çuditur ai dhe pastaj i bërë për vete, deri në atë masë sa Egjipti financoi nga vendi i tij ndërtimin e një xhamie ashkalinjsh në Ohër. Në 1991 ata botuan një përmbledhje legjendash, tregimesh dhe gojëdhënash.

Përparësia e pranisë së tyre në krahasim me atë te rromeve është e vërtetuar me faktin që rromët (psh. Gurbetët e Mitrovicës) i quajtën Arliura[8] (< turqisht yerli "vendës, autoktone, sedentar", në vend të fjalës Ashkali, term i përdorur nga rromë të tjerë, më në jug), gjë që provon që Gurbetët i gjetën aty kur erdhën në krahinën ; po ashtu, rromët Meçkarë e Shqipërisë së mesme dhe të jugut u japin të njëjtin emër, në formën 'Rlie.

 

 

Rrënjët e identitetit

Disa vëzhgues të huaj e interpretuan shfaqjen e këtij identiteti të ri si një strategji e disa "ciganëve" për të shpëtuar nga damka e lidhur me emrin "cigan". Në të vërtetë, fjala "cigan" (cigani, magjup[9]) përfshin në të njëjtën kohë rromët dhe ashkalinjtë, kurse nga ana tjetër nuk ka asnjë damkë të lidhur me fjalën rrom, përkundrazi, derisa ajo lidhet me vullnetin e Titos të emancipimit dhe të zhvillimit të këtij populli, në kuadrin e të famshmes “bashkësi-vëllazëri". Mënyra më e mirë për t'i shpëtuar damkës do të ishte atëherë adoptimi i emrit “rrom”, një emër me prestigj, dhe mbështetja mbi kapitalin politik të fituar prej vitesh. Përkundrazi, kërkesa dhe afirmimi i një origjine egjyptiane i referohet fare qart nocionit “cigan” - në serbo-kroatisht dialektal Edupci, Gopti, Gipteri (< Aiguptos)… Përsa i përket afirmimit si Ashkali, ky nuk është, nga kjo pikëpamje, veçse vërtetimi i etiketës magjup. Duket domethënë, që Ballkano-egjyptianet që u pohuan si të tillë, dhe akoma më tepër si Ashkali, iu bindën një ndjenje identitare të thellë dhe jo çfarëdo oportunizmi politik.

Në të vërtetë, këta vëzhgues të huaj nuk dalin dot prej bllokimit sipas të cilit "rrom" është thjesht formula politikisht korrekte për "cigan", gjë që gabon gjithë vazhdimin e analizës[10] së tyre.

Në Ballkan, Ashkalinjtë e Dardanisë dhe të Maqedonisë[11] nuk janë të vetmuar dhe me sa duket evgjitet ose jevgjit (< Aiguptos ) e Shqipërisë janë etnikisht të lidhur me ta, e njëjta gjë për Kuptoi të Thrakisë (të ripagëzuar para dhjetë vjetësh nga gjendja civile greke “mahomedallinj”) dhe Kiptët e Turqisë[12]. Kronologjia e ardhjes së tyre mund të shpjegojë nga ana tjetër emërtimin e mëvonshëm të rromëve si “egjyptianë”. Disa shekuj mbas ardhjes dhe vendosjes së këtyre egjiptasëve-ashkalinjve, fshatarët e Azisë së Vogël, duke parë ardhjen e Rromëve, nga i njëjti drejtim, të riaktivuan, për t’u dhënë një emër, etiketën “egjyptianë” - prej kësaj rrjedhin termat serbo-kroate të përmendura më lart, që afërsohen me Firauni, Gypsies, Gitanos etj… jashtë Ballkanit. Rromët shumë herët vunë re se identiteti egjiptian ishte për ata më me leverdi sesa identiteti i vërtetë indian, kjo për arsye të prestigjit të madh të Egjyptit në këtë periudhe dhe për arsye të ndryshme politike (konflikte islamo - krishterë) dhe filluan ta përdorin për t’u paraqitur nëpër oborret mbretërore të Evropës, duke fshehur (ose gati) origjinën e vërtetë të vendit të tyre - deri në rizbulimin e rrënjëve të tyre të vërteta nga krahasimi gjuhësor në fund të shekullit të XVIII (elemente të ndryshme na lënë të kuptojmë në të vërtetë që harresa nuk ka qenë asnjëherë e plotë).

Përsa i përket gjuhës, Ashkalinjtë dhe jevgjit janë folës të shqipes brez pas brezi, ndërsa Kuptoi dhe Kipt kanë me sa duket turqishten si gjuhë shtëpie (në rajonin e Athinës, me veçanërisht në lagjen Gazi, ata përcaktohen, nën presionin nacionalist ortodoks mbizotërues, si “Grek turko-folës” sepse një identitet i trefishtë, mysliman, turko-folës dhe egjyptian do të ishte faktikisht tepër i rëndë të mbahej në një kontekst disi ksenofob). Nga gjuha e tyre e lashtë, nuk mbetet më asgjë, ndoshta për arsye të faktit që kanë dalë nga një emigrim burrash që kanë marrë gra ballkanike. Në fakt, jevgjit e Shqipërisë kanë disa terma dialektore të veçanta, dhe gjashtë prej tyre të marra nga rromët, por gjithashtu një kuriozitet të veçante : formula aspi çoçe “qepe, po na degjojnë” që mund t’i afrohet gjuhës kopte aspe “gjuhë” dhe xhoxhe “i huaj, armik”… Në të vërtetë, karakteri i vjetër dhe melodia e të folurës së tyre i karakterizojnë në mënyrë të veçante; bile atyre u pelqen t’i theksojnë këto karakteristika për të bërë shaka.

Integrimi i fortë i Ashkalinjve të Dardanisë në botën shqiptare është tepër i dukshëm: që nga anëtarësia e rreptë në Kanun (e drejtë zakonore e malësoreve shqiptarë) deri në angazhimin e tyre në UÇK apo afër saj si mekanik agregatësh, kuzhinierë, hamallë etj. Ne Klinë, një familje ashkali ia dha vilën e saj UÇK-së, që kjo e fundit të vendosë qendrën e saj. Të zbuluar ata u detyruan të largohen në Francë, ndërsa tanket serbe e bënë shtëpinë pluhur e hi.

Ashkali versus egjiptasë të Ballkanit

Ndarja midis Ashkalive dhe egjiptasëve të Ballkanit nuk mund t’i rezistojë vëzhgimit familial, ku pleqtë vazhdojnë të quhen me emrin lashtësor Ashkali, ndërkohë që të rinjtë, nëqoftëse janë të politikuar dhe domethënë të zënë keq nga damka e prapambetjes shpeshhere e lidhur me këtë fjalë, preferojnë të kualifikohen si egjiptasë. Është kjo arsyeja për të cilën neologjizmi Ashkalo–egjiptasë ka është propozuar mjaft herë si identifikues i qartë. Në të vërtetë, autoritetet shqipëtare i konsiderojnë në Tirane egjiptasët si “pjesë të pandarë të trungu shqiptar, por me prejardhje të veçante”, për arsye të lashtësisë së shkrirjes së tyre në kombin shqiptar, të mungesës së një gjuhe të vetën dhe – ajo çka hidhet poshtë nga Ashkalo-egjiptasët – të mungesës së një kulture specifike. Pavarësisht nga deklarimet e zyrtarëve, përbuzja nga vuajnë evgjitet/jevgët nuk lë vend që të konsiderohen të barabartë me Shqiparët e tjerë. Për pjesën më të madhe të të interesuarve në fakt, ka barazi kuptimore midis emrit popullor Ashkali dhe “të riut” egjiptas, siç e tregojnë këto vargje të një poeme te Rrahman Miftarit, redaktor i revistës “Ekot e egjiptasëve kosovarë në diasporë”:

Jam egjiptas

Me fe mysliman

Festa ime e devotshme është Bajrami

Dhe agjerimi Ramadani

egjiptasë dhe Ashkalinj jemi i njejti gjak

 

E njëjta vëllazëri. (shih tekstin e plotë me larg).

Për çudi, ndërsa identiteti egjiptas/Ashkali nuk ka më asnjë dyshim për pjesën më të madhe të tyre, përsëri shohim të huaj, më veçanërisht disa aktivistë që nuk janë as egjyptianë, as Ashkali, as rromë, bile shpesh as origjinarë të krahinës, të ndajnë egjyptianët dhe Ashkalitë në dy grupe. Ata pretendojnë se respektojnë në këtë mënyrë një vullnet që në të vërtetë ka qenë i shprehur vetëm nga disa individë, shqetësimi i të cilëve ka qenë të vendosin shpresat e tyre për karrierë në shahun etnik të krahinës, siç e kemi përmendur në artikullin e mëparshem me shumëzimin e përcaktimeve: shqiptaro – egjyptianë, Jugo – egjyptianë, Egjiptas, por gjithashtu Esnafë (në të vërtetë “mjeshtra zanatçinj”) ose më së fundi Milet (“kombësi”). Për të parafrazuar shprehje mjaft te njohura, mund të themi për këta shumëzues të identiteteve që ata duan të jenë “më egjyptianë se Ashkalitë”.

Ashkalo-egjiptas (ose Ballkano-egjiptas) versus rrom

Nga ana e tyre, Evropa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke besuar se bënin një vepër të devotshme që nga largzsia e zyrave e tyre, duan të detyrojnë këtë popullsi të hyjë në kornizën e identitetit rrom, kjo për të riaktualizuar pikëpamjen jo vetëm të rremë, por edhe raciste, të një popullsie “cigane”, e revizuar, e korrigjuar e e riquajtur me fjalën politikisht korrekte “rrom”, në një kohë që rromët dhe Ashkalo-egjiptasët nuk kanë asgjë tjetër të përbashkët përveçse vuatjes prej një përbuzjeje të njëjtë nga popullsitë përreth – gjendje në të cilën ata nuk janë të vetmit. Gati të gjithë  identitete në Evropë vuajnë ose kanë vuajtur nga përbuzja e të tjerëve. Është pikërisht kjo përbuzje e përbashkët që kërkohet në këtë mënyrë të ngrihet si identitet "kombëtar" i kulluar, me një ndërrim të thjeshtë etikete… Kur shkenca e tradita tregon se këto popuj nuk kanë kurgjë të përbashkët në histori, kulturë e vetëdije e kur nga ana tjetër janë bashkuar në një thesë nga katunarët analfabetë, nuk ka pse t’i besojmë analfabetët e të injorojmë vetëdijën e personave apo të dhënat e shkencës. Ballkano-egfjyptasë kanë shumë më tepër të përbashkët me Shqiptarët sesa me rromët. Pavarësisht, të trajtosh këtë popullsi vetëm si shqiptare “të rrënjosur” është veçse një ëndërr politikisht korrekte, sepse kjo do të thotë të neglizhosh ose të mohosh përbuzjen e përditshme nga e cila ata vuajnë. Do të ishte më mirë pra që t’u jepej atyre një statut prej minoriteti historik dhe të vlerësohet identiteti i tyre duke e bërë më të njohur, sidomos me kërkime dhe me shkollim, në mënyrë që të luftohen moskuptimi e mospërfillja ndaj tyre. Shumë intelektualë Ashkalo-egjiptasë kanë bërë udhëtime në Egjypt për të kërkuar rrënjet e tyre, sapo kanë pasur mundësi.

Ngatërrimi midis Ashkali dhe rrom, i marrë si një “eufemizëm” i thjeshtë në vend të fjalës cigan dhe jo si koncepti rrënjësisht tjetër siç është në fakt, tashmë u përhap e tejkalon përdorimin nga fshatarët e krahinave jugosllave, përderisa e ndeshim gjithashtu në mjaft raportet ndërkombëtare. Mund të përmendim disa shembuj: një vezhguese hungareze u dërgua në 1994 në Tiranë nga Qendra Evropiane e të Drejtave të rromeve (sipërmarrje e miliarderit György Soros) për të anketuar mbi situatën e rromëve. Megjithë takimet e shumta me përfaqësuesit rromë dhe evgjitë të Shqipërisë, që i kishin shpjeguar qartësisht situatën, ajo ironizoi në raportin e saj mbi atë qe ajo quante : “kulti narcisik, siç thoshte Frojdi, të diferencimit të vogël” midis këtyre dy minoriteteve. Ajo i lejoi vetes te asimilonte evgjitet e Shqipërisë me Magyar Cigányok të Hungarisë (rromë hungarezë, të ardhur atje në Mesjetë e që kanë harruar rromishten për shkak të përsekutimeve të shekullit te XVIII – domethënë të konsideruar si “ciganë të mirë hungarezë, të integruar mirë, të respetueshëm”) dhe rromët e Shqipërisë me Oláh Cigányok të Hungarisë (rromë të ardhur në shekullin 19 në Hungari, të cilët flasin një rromishte të shkëlqyeshme – domethënë të konsideruar si “të huaj, të egër e të paintegruar mirë”). Në të vërtetë, pothuaj të gjithë rromët dhe pjesa më e madhe e evgjitëve janë deri më sot të integruar mirë në shoqërinë shqiptare, në një rrjet të gjerë miqësie dhe komshillëku të mirë (edhe pse vështrohet prej disa vitesh një degradim social për arsye të vështirësive ekonomike) dhe pjesa e integruar jo mirë duhej kërkuar midis disa evgjitëve. Nën regjimin e Enver Hoxhës vetëm evgjitët mund të shiheshin si lypsa në rrugë, kurse rromët filluan të lypin vetëm nga fundi i viteve 90 – dhe më shumë në Greqi sesa në Shqipëri. Nga ana tjetër, një numër i madh i evgjitëve ishin plotësisht të padukshëm dhe punonin në ushtri, nëpër ministri, në spektakël etj... dhe askush nuk mund të shquante identitetin e tyre nëqoftëse nuk zbulohej nga ata vetë ose nëse nuk njihej familja e tyre.

Një tjetër shembull mjaft i trishtuar është i lidhur me rrëzimin e “piramidave financiare”, këto hajdutllëqe që e çuan në mjerim ekonominë shqiptare në vitet 90. Njëra prej tyre ishte ngritur nga një evgjite, zonja Maksude Kalemi, e quajtur “Sudja” – bile ky është dhe emri që ajo i kishte vënë piramides së saj. Ajo e ngriti si person, si individ e në asnjë mënyrë si evgjite, njësoj si disa Shqpitarë kishin ngritur edhe ata si individë. Mirëpo një gazetarit francez ju shpjegua kjo çështje nga një ndërmjetës lokal që përkthente me fjalor në dorë dhe rezultati qe një artikull në gazetën “Le Monde” i 4 Janarit më pas, që ironizonte mbi “miletin endacak” dhe ilustrohej nga një karikaturë ku ndesheshin qartë duart e një shtrige, një kala me letra bixhozi, karavane rromësh shtegtarë dhe simbole të tjera raciste. Të interesuarve që protestuan, mediatori i gazetës “Le Monde” iu përgjigj që ata nuk kishin humor. Lajmi erdhi në Tirane, nëpërmjet shtypit shqiptar, dhe disa javë më vonë, kur rromët e shkatërruar nga piramidat dolën duke manifestuar kundër tyre, u rrahën nga njerëzit të cilët u indinjuan duke parë këta “hajdutë të njohur” të ankoheshin për fatin e tyre.

Edhe më përpara, ngatërrimi sundonte mbi këtë subjekt, që nga kujtimet konfuze të Margaret Hasluck rreth viteve 30 (kjo aventuriere angleze, që nuk dinte as shqip as rromisht, ka mbetur megjithatë një burim i përmendur gjithandej nga gaxhet), deri në një artikull të vetë Enver Hoxhës “Të përbuzurit janë bërë të lumtur”, ku – në përgjigje kundër sulmeve raciste të kryeministrit të tij Mehmet Shehu – ai deshi, njëzet vjet më vonë, të rihabilitonte rromët: një rihabilitim i çuditshëm ku, në vend që të quante rromët me një nga emrat e shumta që ata mbajnë në Shqipëri, duke përfshirë “rromë” i quan jevgë, duke kujtuar ndoshta që kështu bënte një eufemizëm e nuk i prekte në sedër… Megjithatë është e qartë se ai flet për rromët dhe jo për egjiptasët, meqenëse në artikul ai përgënjeshtron origjinën egjyptiane të tyre, thotë se vijnë nga India dhe shpjegon dashurinë e tyre për muzikën indiane.

Tabela e mëposhtme vë në dukje dallimet kryesore midis këtyre dy grupeve:

ENDONIM                                        ASHKALI                                          RROM

Origjina                                              Egjipti (?)                                            India (qyteti Kanauxh )

Mbërritja në Ballkan                          Shek IV (?)                                          shek 13-14

Burrat vetëm që u martuan

më vonë me gra vendase

Lëvizjet                                               vetëm sedentare                                 migrim historikevropian

                                                                                                                        nga Lindja në Perëndim

Gjuha e shtëpisë                                 shqip[13]                                                 rromisht

Emri në shqipen e F. së Mëll.             magjup                                               magjup

Emri në shqipen e Dukagjinit            magjup                                               gabel

Feja                                                     sot të gjithë muslimanë                      myslimanë në përgjithësi

Festa kryesore                                     Shën Naumi Shën                              Shën Gjergji (6 maj)

                                                                Athanasi                                         Bibia për ortodoksët

Vendbanimi                                        në qytete (shpeshherë në qendër)     qytete (periferi), fshatra

                                                                fshatra te vogla Ashkali                e lagje të përziera

Numri mesatar i familjeve                8 persona                                            6 persona për vater

Regjistrimi                                          të panjohur nga administrata           "grupe etnike"

                                                                në kohën e Titos                                        

Shkollimi                                             i ulët                                                    i ndryshëm

Profesione bujqësore                          të shpeshta                                         të rralla

Profesione muzikore                          pjesëmarrje mesatare                         pjesëmarrje e lartë

Pozicioni i farketarëve                       në këmbë                                            i ulur

Përqafesimi politik                             asnjë                                                    minimal dhe fiktiv

Masmedia                                           asnjë                                                    në fillesë

Pozicioni gjatë konfliktit                    më shumë pro-shqiptare                    në favor të statu quos

                                                                                                                                së epokës së Tito

Pjesmarrje në UÇK                            Po                                                        Pak

Shihet se dallimi midis këtyre kombeve është i qartë për atë që do t’i kushtojë pak vëmendje. Megjithatë dëgjojmë akoma të pohohen publikisht të pavërteta të tipit “Ashkalitë flasin rromisht në shtëpi" (një kineast serb në janar 2001) gabim që vjen jo nga vëzhgimi personal por nga leximi i një vepre të njohur për pasaktësinë e saj “Romi u Jugoslaviji” TatomirVukanovic (1983).

Aneksionizmi rrom, shkaqet

Udhëheqësit rromë, të dëshpëruar nga këto amalgama dhe manipulime, u përgjigjën - kundër çdo prove - që Ashkalinjtë janë shpikur për të zvogëluar numrin e rromëve - dhe në këtë mënyrë t’u krijohet autoriteteve mundësi “të përçajnë për të sunduar”; këta udhëheqës, që e dinë fare mirë nga përvoja e tyre e lagjes kush është rrom e kush është Ashkali, ishin sigurisht të obseduar nga kuotat (po kljucu), që në kohen e Titos lejonin ngritjen sociale kolektive sipas përqindjes së kombëve e kombësive në popullsi, por gjithashtu hapnin shteg manipulimeve të shumta.

Në të vërtetë, kështu kuptohet mosbesimi i udhëheqësve rromë kundër daljes eks nihilo të një identiteti të ri në fushën politike, kur dimë përpjekjet e manipulimit të vërtet nga ana e Beogradit: kështu, në një intervistë në Spiegel (15 Tetor 1990) Sllobodan Milosheviç deklaroi që “më shumë se gjysma e shqiptarëve të Kosovës nuk janë shqiptarë por janë në fakt egjiptasë të fshehur dhe të detyruar nga presioni i shqiptarëve të braktisin identitetin e tyre”[14]. Në fakt, ajo që është tipike për mashtruesit nuk është të krijojnë përralla nga hiçgjë por të marrin fakte reale dhe t’i shtrembërrojnë, t’i modelojnë ato për leverdinë e përfitimin e tyre. Këtë bëri ish-diktatori serb kur përfitoi nga prania e vërtetë e egjiptasëve në Ballkan, jo për të zvogëluar numrin e rromëve, por atë të shqiptarëve, duke fryrë numrin e Ashkalinjve. Ajo që ndërlikon gjërat, është se një numër i vogël familjesh rrome nuk zotërojnë më, për arsye të ndryshme,  gjuhën rrome dhe disa rromë të tjerë, të cilët e ruajnë mirë gjuhën, asimilojnë këta rromë të çkulturuar me Ashkalinjtë, duke justifikuar në të njëjtën kohë përhapjen e tezës se egjiptasët janë rromë të çkulturuar, madje të manipuluar nga shqiptarët - kjo sigurisht kundër dëshirës të të interesuarve.

Përtej këtyre vërejtjeve, ajo që është e padiskutueshme, është që martesat midis rromëve dhe Ashkalinjve jane më të shumta se midis rromëve dhe shqiptarëve për shembull e rrjedhimisht ekziston një numër familjesh të përziera (kur gruaja është Ashkalikë, ajo mëson sistematikisht rromishten) dhe që një lidhje është krijuar kështu përmes krushqive.

Kulture gojore ballkano-egjiptase, tregime, proverba dhe këngë

Por le të japim shembullin dhe le t’i hedhim një sy kulturës ashkalo-egjiptase: nëqoftëse askush prej tyre nuk duket të mendojë seriozisht për të rigjetur gjuhën e Egjyptit të lashtë (megjithëse ka pasur disa ëndrra për të ringjallur egjyptiançen e vjetër ose koptishten - të mbetura pa vazhdimësi dhe të bëra të panevojshme nga pohimi fantazist se Thot-Tati flaskishte shqip…), disa pohojnë ekzistencën e një pasurie kulturore të veçante: Stojan Risteski ka botuar një përmbledhje me “tregime popullore, tradita dhe doke tek egjiptaset në Maqedoni” (Ohër, 1991) ndërkohë që Rubin Zemon ka drejtuar botimin e një “Permbledhje studimesh mbi etnogjenezën e egjiptaseve në Maqedoni” (Shkup, 1996 - në maqedonisht) dhe ka ekspozuar pozicionin e tij në “Egjiptasët e Ballkanit: e vërteta mbi egjiptaset e Kosovës dhe të Metohisë” (Ohër, 2001 - në serbo-kroatisht, paraqitur në Këshillin e Evropës). Por influenca reciproke midis kulturave të popujve të Ballkanit është e tillë që duket pa bazë të pretendosh të gjesh një element kulturor që të jetë i veçantë i njërit apo i tjetrit nga këto komunitete që bashkëjetojnë prej shekujsh me këtë shpirt komsuluk-u dhe me një vëllazëri që shekuj me rradhë ka tejkaluar limitet etnike (dhe e cila ka shumë vështirësi, nga ana tjetër e në kushtet e sotme, të mbrohet nga pikëpamjet nacionaliste të importuara nga Evropa Veriore). Megjithatë është rasti këtu të botojmë një përmbledhje proverbash të mbledhura nga Lumia Osmani-Kuç, një gazetare e re nga Prishtina (lagje e Moravës) e martuar sot në Varshavë. Poetja në kohen e saj (në gjuhë shqipe), Zonja Osmani-Kuç, që është me baba rrom dhe nënë ashkalikë, është krenare për identitetin e saj. Siç shihet, një numër proverbash janë evropiane, madje edhe botërore, sepse ata shprehin një urtësi dhe një përvoje njerëzore universale. Midis me karakteristikeve, mund të përmendim Fol për ujkun, ujku mbas dere; E more ngoje qenin, beje hazer shkopin… që gjendet praktikisht në të gjitha kulturat, vetëm emri i kafshës ndryshon (për Japonezët për shembull është një ari…; mund të themi si konkluzion që ka pa dyshim një bazë për këtë thënie); të tjerat janë pak a shumë të njohura tek shqiptarët

1.      Iriqi i dherave nuk rri nën sqetullë. [n° 6]

2.      Gjella e lirë t'i sos buzët. [n° 10]

3.      Nusja e mirë, pa syrin qorr. [n° 14]

4.      Çka di dhija çka është tagjija. [n° 16]

5.      Ka nigju bretkosa se u mbath kali, e don edhe ajo. [n° 17]

6.      Bardhë e but, mrena mut. [n° 21]

7.      E kanë zon dhelprën kumbar. [n° 23]

8.      Toka e zezë, por e nxehtë. [n° 24]

9.      I dul tomli mi përshesh. [n° 26]

10.  Dashnia nuk âsht kastravec me kalu çdo behar. [n° 27]

11.  Po i lyp të verbërit sy. [n° 31]

12.  I ka shti veshët në lesh. [n° 33]

13.  Nuk ka zâ ende në hundë lesh. [n° 34]

14.  Doje, doje, por kur të prek, mos kaj. [n° 36]

15.  Me dy lugë nuk hahet, njëra të mbet në fyt. [n° 38]

16.  Ma mirë pite për veti se përpeq për tjerë. [n° 39]

17.  Burri nuk âsht lule, të vihet në veshë. [n° 42]

18.  Çdo qingj që prehet varet për kambë të vet. [n° 43]

19.  Me send të huaja nuk vihet gjyrdok. [n° 46]

20.  Unë fol për lisa, e ti për fshisa. [n° 48]

21.  Rrëshqiti si thiu në akull. [n° 49]

22.  Shkruje në akull, ka m'u shkri në behar. [n° 35]

23.  Për inat të nuses, më vdektë djali. [n° 51]

24.  I veti është vetëm luga dhe kalanica. [n° 52]

25.  Qysh është katuni, është dhe kanuni/bastuni. [n° 53]

26.  E keqja ndihet larg, se e mira jo. [n° 54]

27.  I ka ardh voja te bytha, e s’po din ku t’a lëshojë. [n° 57]

28.  Thëmija të shtjen në gropë të zjarrmit. [n° 58]

29.  Po u dehe në prapanicë, nuk je dehë në kryet. [n° 63]

30.  Sa e shtrëngon, aq më tepër kërcet. [n° 64]

31.  Mos e vetë se të kallëzon vet. [n° 65]

32.  Mos i rrafshë gurit e drunit. [n° 66]

33.  Mos më ngit kodra mbas bregut. [n° 67]

34.  Nëpër ujë e kapërcej i etun. [n° 68]

35.  Ujë po mbaj e etun jam. [n° 68a]

36.  Mos gabo, se do të kruhet vetulla, do t’a nxjerrësh synin. [n° 70]

37.  Po e çojnë mirë si macja me minin. [n° 71]

38.  Një herë mini kapërcen nëpër musteqet e maces. [n° 73]

39.  Aty ku thonë se ka dredhëza shumë, merre kroshkën e vogël. [n° 74]

40.  Humbi si shurra e pulës/si faks në Mitrovicë. [n° 81]

41.  Po e don si krypën në sy. [n° 83]

42.  Edhe lypës, edhe zgjedhës. [n° 84]

43.  I ka ra sakica në mjaltë. [n° 87]

44.  E ka lind nana mbas dere. [n° 88]

45.  Nuk e di çka ka në tenxhere, pa e shtij lugën. [n° 91]

46.  Bora e bardh’ po t’i mërdhin kambët. [n° 94]

47.  Kënoje kangën si e kë tonin. [n° 97]

48.  Edhe qeni në plehë e gjen një copë bukë. [n° 98]

49.  Mos rri si macja nën sofër. [n° 99]

50.  I dul kapuç me mangë. [n° 100]

51.  Shnosh kryet se kapuça ka boll. [n° 101]

52.  Askush merimangat e veta nuk i shef. [n° 106]

53.  Shihi tjerët, në dash me ditë çka ke në shpi. [n° 107]

54.  Ngjalën e zojnë budallenjtë për gjarpër, ashtu edhe njeriun e urtë për budallë. [n° 108]

55.  Mushkërinj e zojnë budallenjtë për mish, ashtu edhe njeriun e urtë për budallë. [n° 108a]

56.  Besnik banu, e besë mos zën. [n° 109]

57.  As kambës tande mos i beso. [n° 110]

58.  Fshisja e vjetër i din qoshet më mirë. [n° 111]

59.  Mos t’a kapërceftë lavirja rrugën, 45 ditë nuk do të të shkojë mbarë. [n° 112]

60.  Mushkonja mish s’bahet. [n° 114]

61.  Veç në mulli flitet dy herë. [n° 115]

62.  Edhe bira e minit po i duket e madhe. [n° 118]

63.  Po q... si macat në tavan. [n° 123]

64.  Nuk po dihet, ka sa po shkon gruni. [n° 124]

65.  Molla kur piqet, pik e bjen në mut. [n° 125]

66.  Delja kur ndahet prej bylykut e han ujku. [n° 126]

67.  E ka çel zemrën, e ka ba kompir. [n° 127]

68.  Mos i beso lavires, të len krushqit në udhë. [n° 128]

69.  Kape njanën e mëshoi tjetrës. [n° 129]

70.  Merre një shkop të shkurt, e ruaje prapanicën. [n° 135]

71.  Eshtë mbush kusur. [n° 138]

72.  Ma mirë tash bukë e krypë, se ma vonë mjaltë. [n° 142]

73.  Topi i Hitlerit s’e lun. [n° 143]

74.  Shtrije dorën sa e ke takomin. [n° 144]

75.  Mos më prek, se dridhma vet. [n° 145]

76.  Mas kalit të mirë, çohet pluku i madh. [n° 147]

77.  Mos menoftë zoti, çka menon nana. [n° 148]

78.  Lopa e mirë, nji ditë qet shkelm e derdh tomlin. [n° 149]

79.  Qe ku asht udha, ti po thu qe ku asht lluga [sic]. [n° 151]

80.  Sita e re e sit mjellin ma mirë. [n° 152]

81.  Kah gishtat, andej thembrat. [n° 153]

82.  Në mal pa sakicë nuk shkohet. [n° 154]

83.  Dardhaxhisë dardha mos i shit. [n° 158]

84.  E [sic] ka qit nji plonc ftyrës [n° 161]

85.  Në kofsh begtesh, merr vesh. [n° 162]

86.  Këqyr për hava, e gjen për tokë. [n° 167]

87.  Barku i ngit e synu unë. [n° 168]

88.  Toka po e duron pampurin, e jo njeriun. [n° 170]

89.  Nuk të shkon gjithmonë kungulli mbi ujë, njëherë fundoset. [n° 171]

90.  Kush fol tinëz, i rroftë shpinës ! [n° 172]

91.  Këngën e di, po s’po më shkon zâni. [n° 173]

92.  Rakia nuk rri urtë në buzë, si të rri në bark/kryet të njeriut. [n° 175]

93.  Në atë shtëpi ku hahet tinëz dhe ka tradhti, ragbet nuk ka. [n° 177]

94.  Çka nuk ka deti, edhe peshq lakuriq ! [n° 179]

95.  Çika e keqe të shtin në thes me çdokënd. [n° 182]

96.  Mos e paç thëminë sojsuz. [n° 183]

97.  Kambët e leta, por prapanica e randë. [n° 184]

98.  Kambët e leta, e mendt’ të shkurta. [n° 193]

99.  Hiqe zot prej meje, e qitja nanës teme. [n° 185]

100.    Të mos daltë vola një herë, se e pat puna. [n° 189]

101.    Hekma tutën, t’a fali kokën. [n° 190]

102.    Po lahet si kurva me lotë. [n° 194]

103.    Në shkofsh me hoxhë, hoxhë bahesh. [n° 195]

104.    Aty ku kënon pula, ragbet nuk ka. [n° 196]

105.    Një njeri që nuk ka karakter e more ragbet prej tij s’ka. [n° 198]

106.    Lype nji e gjete dy. [n° 199]

107.    Mos bën krejt çka të vjen në dorë e në kambë. [n° 200]

108.    Me ia la kambët, e me ia pi ujtë. [n° 201]

109.    Vdiq {= O dek} si qeni në plehë. [n° 202]

110.    Ftyra nuk është një hektar, por vetëm tri gishta. [n° 207]

111.    Ju ka bërë ftyra, me levru traktorat. [n° 208]

112.    Birat e gardhit e fjalët e gjindjes s’mëshilen kurrë. [n° 209]

113.    Me një hu, gardhi s’mëshilet. [n° 210]

114.    Koha e han gurin/këshin, e jo njeriun. [n° 212]

115.    Po don voe me dy gugluca. [n° 213]

116.    Zgje kerin, mos me kërsit. [n° 214]

117.    M’i mbushi xhepat krypë. [n° 215]

118.    Tute arushën me shosh. [n° 218]

119.    Mbasi e mbyte qenin, gjuje, të mos qelbet. [n° 222]

120.    Je ba çakall e mullinit. [n° 228]

121.    Ai s’është mirë me zotin, e le me insanin. [n° 229]

122.    Fshij durët për murizi. [n° 229a]

123.    Edhe zoti i ka çu durt prej tij. [n° 230]

124.    Fjala fjalën s’e mun. [n° 231]

125.    Çka din fëmija, çka asht dashnia? [n° 247]

126.    Kush shumë voje han, e nxan hostalloku i pulës. [n° 248]

127.    M'u ka shtjerë krahu, e shpina po më dhemb. [n° 249]

128.    Po mirren vesh si pulat në telefon. [n° 250]

129.    Me ditë kur vdes, vet do t’a maroj varrin. [n° 251]

130.    Po shkon si k… në dasëm. [n° 252]

131.    I keq kofsh, pa nafakë mos kofsh. [n° 234]

132.    Shpesh e shpesh, bahet përshesh. [n° 235]

133.    Ma mirë rallë e për mall. [n° 236]

134.    Ku ki uzdajë, ki murtajë. [n° 237]

135.    E mira e ka të mirën [mrapa], e keqja të keqen. [n° 238]

136.    Ma i rand hatri se topuzi. [n° 240]

 

Vihet re se me çfarë thjeshtësie këto proverba dhe shprehje mund të qarkullojnë, dhe në fakt qarkullojnë, nga një anë në anën tjetër midis gjithë popullsive të Ballkanit dhe përtej, të nxjerra e të rinxjerra nga një gjuhë në një tjeter me përkthime të ndryshme. Përveç kësaj, disa janë shumë të dyshimta dhe mund të lenë vend për interpretime të ndryshme, madje edhe të kundërta. Ajo që është më interesantja është imagjinata e shprhshmërinë e tyre, të vërtetura nga prania e referencëve fare moderne: Hitleri, traktori, treni, telefoni, faksi etj…(faksi që zhdukja e paparashikuar e të cilit çon drejt zëvendësimit të versionit të parë, më shpendore…)

Përsa i përket këngëve popullore, disa autorë, dhe veçanërisht Anastas Primovski në Bullgari dhe Emin Mamudovski nga Kiçeva në Maqedoni, kanë përmbledhur një numer të tyre, që mbeten nga më të preferuarat për Ashkalo-egjiptasët por përmbajtja e tyre nuk dallohet në asgjë nga ajo e teksteve të etnive përreth, me vajza për të martuar, të dashur të rënë në luftë, nëna të deshpëruara etj… Përsa i përket muzikës, sharkija, një lloj mandoline e madhe, konsiderohet si instumenti i tyre i preferuar, por ky instrument gjendet edhe në orkestrat e tjera tradicionale.

 

Krijim letrar modern

 

Duke parë vështirësinë për të përmbledhur një letërsi gojore egjiptase në kuptimin e mirëfilltë të fjalës - temat që vinin nga brigjet e Nilit mungojnë tërësisht, m'u duk më me interes, si dëshmi e mendimit të këtyre grupeve që pretendojnë një identitet emergjent, të paraqes krijmtaritë e aktivistëve bashkëkohorë në përshkrim letrar. Varfëria e stilit, më afër deklarimit politik sesa krijimtarisë letrare, na lejon një përkthim te thjeshtë, pra besnik ndaj origjinalit:

 

 

Jam egjiptas

 

Unë jam egjiptas / Me fe jam mysliman / Feste fetare kam Bajramin / E gjinoj unë Ramazanin.

Egjiptas e Hashkali / Jem nji gjak edhe vllazni / Tjetër kush na ka shti / Që janë shkru shumë Hashkali.

Shumë është seri dhe çudi / Shumë janë shkrue Hashkali / Hashkalija nuk është komb / argumenti po na tregon.

E flas shqipen po s’jam shqiptar / Me gjuhë tonën këtu kemi ardhë / Kjo si shkon dikujt për shtati / Shqip ka fol dikur mbreti THOT-TATI.

Jemi zeshkana po edhe të bardhë / Prej Misirit këtu kemi ardhë / Pleqtë kanë thanë edhe po thojnë / Argumentet po na tregojnë.

Rrahmon Miftari (lindur më 1939 në Trudë afër Prishtinës)

 

Jam krenare që jam Kosovare

 

Jam krenare që jam Kosovare / Me origjinë Egjiptase jam / Të mburremi që këtë komb e kemi / Me tradita dhe kulturë të lartë / Kështu e njeh gjithë bota mbarë.

Deri më tani nuk dija se kush jemi / Kah vemi / Por tani lindi dielli edhe për ne / Të mburremi me këtë komb që kemi / Me plot merita, komb të mirë me fe.

Kam vuajtur më parë / Kur kam shprehur tjetër komb / Që atij nuk i takoj / Në zemër kam pasur një plagë të rëndë / Por edhe tash nuk është vonë / Të krenohemi me prejardhjen tonë.

Jam krenare që jam Kosovare / Me origjine Egjiptase jam / Jam krenare në çdo hap / Që ardhmërine e lumtur / Të kenë edhe femijët tanë.

Në çdo hap në çdo vend / Ka dëshmi e argument / Për kombin Egjiptas / Që i takojme / Krenohem me kombin tonë / Me simbolin e piramidave së bashku me Kosovën / Zemrat tona ndriçojnë / gjithmonë do të jetojë / Atdheun kurrë s'do ta harrojmë / Jetën për të do ta flijojmë / Për të tjerët shpresojmë / Se në fund do të kuptojnë / Do të binden me të vertetë / Se nuk jemi asgjë tjetër / Kemi prejardhjen shumë të vjetër / Bashkë me Ilirët ne jetuam / Me një gjuhë komunikuam / Në ato treva ku ne jetuam / Të gjitha të mirat i kultivuam / E në fund vëllezër e motra / Më shpetoi loti / Sa i përket gjuhës / Ka folur Thoti / E tash historianët shqiptarë / Prandaj gjithë të jemi krenarë / që jemi Egjiptas e Kosovarë.

Ilmie Kongjeli

 

Egjiptasët në Ballkan

 

Peshku i madh han më të voglin / Kur gjithçka shkon mirë, kur ai është me inat. / Ai do gjithmonë ti uzurpojë / dhe nga krimbi nuk i dallon.

Nëpër Ballkan janë shpërndarë / Brunët e lashtë egjyptianë / Popujt e bardhë i njohin keq / Ngaqë nuk i dallojnë nga rromët.

Egjiptasët në Ballkan / E dinë të gjithe se cilët janë / As rromë, as shqiptarë, / Popujt e bardhë i uzurpojnë.

Rahmon Miftari (përkthyer nga serbishtja)

 

Klani i im i trishtuar

 

Vite nënshtrimi, vite shtypje / Ju keni kaluar si një lumë / Që ndjek luginat / Kujtime të rënda me trishtim / Ju keni lënë nga mbrapa./ Sopote dhe Rosoman / Në mendje rrijnë tek unë. / Sytë plot me lotë / Familja ime e uritur / Ne kemi ndjekur bashkë Barabaras, / I shkreti klani im i trishtuar / Si një anije e mallkuar / A ka parë humbjen e rinise së tij / Në këto vjelje te lodhshme / Qiejt blu, dëshirë e madhe / Ata mbetën zanatçinj të fesë së tyre. / Vizitoni tani vogëlushet e mi / Hapësirën e botës / Me fëmijtë tuaj / Dërgojeni gjithandej me besë dhe kurajo dashurinë krijuese / Për tokën e bollshme.

Emin Mamudoski (përkthyer nga maqedonishtja)

 

Mund të afrojmë me këto tekste poemën e mëposhtme, që nuk është shkruar nga një Ballkano-egjiptas, por nga Selahedin Kryeziu, autor rrom nga Prizreni, në shkurt 1993 (marrëdheniet midis rromëve dhe Ashkalinjve janë veçanërisht të ngushta në qytetin e tij) që shpreh mire:

Kush jam ?

Më pyesin se kush jam / S’di se çfarë t’u them. / Në shtëpi flas gjuhën shqipe / Vetëm se shqiptar nuk jam / Thonë se jam Egjiptas / Vetëm se nga Egjypti s’kemi as gjuhë, as zakone / Kush jam unë dhe unë pyes veten / Miqtë e mi janë më shumë rromë / Por ne nuk jemi rromë / Dasmën e bëjmë si ata / E shpesh gjithashtu me ata / Vetëm se nuk dimë gjuhën e tyre / Gjyshi im as gjyshi i gjyshit tim / Dhe të gjithë paraardhesit e mi / As ata nuk e dinin / Nuk e di se kush jam. / Ndoshta deri sa të vdes / Nuk do te di se kush jam / Mendoj që nuk ka njerëz të tjerë në botë si ne/ Asnjë që nuk e di se kush është / Asgjë nuk di, asgjë për të kaluaren time / Nuk e di nga vij, / Nuk e di kush jam. / Dhe pse nuk e di - as këtë nuk e di.

Pikëpamja e popujve përreth

Vihet re që, nga Bullgaria në Shqipëri, egjiptasët e Ballkanit janë të famshëm për  megalomaninë e tyre meqënëse në bullgarisht thuhet "Agyupti, kur u bë mbret, fillimisht vari të atin", në shqip Kur u bë jevgu pashë, vrau babën e vet madje edhe në rromisht Kana avilo o Rlia bej, mudarda pe dades “id”. Thuhet gjithashtu për ta që nuk dijnë të bëjnë ekonomi shtëpiake: Kana o Rlia pelo k-o khil, makhla pe pele . "Kur egjyptiani ra në gjalpë, u lye nga poshtë[15]". Një karakteristikë tjetër qe populli i ngjit atyre është frika: "zemër Agjupi" do të thotë pulë e lagur në Bullgari dhe shqiptarët pretendojnë që nëna evgjite këshillonte djalin para se të shkonte në luftë Vre kho, të keqen nona, bëni dredha plumit, mçifu mas gaxhoit ! Një anektodë shpreh të njëjtin stereotip duke shpjeguar origjinën e shprehjes se çuditshme "ha zemrën e bardhë te jevgut": Ky kishte shumë frikë nga arinjtë. Nj natë ngrihet, del e ecën pa vënë re, nën një sitë që e godet duke u ngritur. I bindur se ishte një këmbë ariu, pati kohë vetëm të thotë "ha tani ari, zemrën e bardhë të jevgut" para se të binte në tokë i vdekur nga frika…

Sigurisht të gjithë popujt, dhe veçanërisht në Ballkan, kanë anekdota të tilla për popujt përreth, të cilët i marrin me dëshirë për llogari te tyre. Ajo çka duhet, nuk është që të censurohet ky humor popullor, se ai i jep përtidtshmes një pikant që rromët dhe egjyptianet e shijojnë si në tavolinë ashtu edhe në jetë, por është e rëndësishme që përhapja e këtyre imazheve të shoqërohet me një vullnet pedagogjik që i vendos ato në kuadrin e tyre natyror: një bisedë e thjeshtuar e jetës fshatarake së kaluar, limitet e së cilës duhen njohur gjithmonë. Përkundrazi, këto imazhe mund të na sjellin një bazë të shkëlqyeshme për të luftuar, veçanërisht duke i përqeshur, të gjitha stereotipet që mbeten të lidhura me identitetin ballkano - egjyptian.

Perbuzje dhe persekutim kundër evgjitëve dhe Ashkalive

Shqipëria e paraluftës nuk ishte aspak e dashur me të mjeruarit, mes të cilëve numëroheshin shumica e evgjitëve "të dukshëm", por nuk mund te flitet për persekutim në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Edhe në Jugosllavi, Ashkalitë nuk ishin trajtuar keq, vetëm te lënë në punën e tyre, si pjesa më e madhe e qytetarëve. Pas vdekjes së Titos, gjendja ndryshoi rrënjësisht, sepse Ashkalitë filluan pak nga pak të jenë shënjestra e serbëve racistë, për faktin se ata shiheshin si "ciganë shqiptarë" - dy damka të rënda bashkë. Por me ndryshimin e situatës në 1999, disa ekstremistë shqiptarë kosovarë, partizanë të pastrimit etnik, filluan të ngacmojnë ashkalitë, në të njëjtën mënyrë si rromët, për arsyen e thjeshtë se injorantët i ngatërrojnë me termin e përbashkët magjup, dhe ektremistet luajnë rolin e injorantëve për të justifikuar abuzimet e tyre. Në këtë mënyrë në një popullate që ishte rreth 60 000 shpirtra në fillim të vitit 1999 (sidomos në Pejë/ Pec, Gjakovë/Ðakovica, Prizren, Prishtinë dhe përreth, Ferizaj/Uroševac), vetëm 20 000 ishin në Dardani një vit më vonë, ndërkohë që vetëm 2 800 shtëpi nga 8 500 gjithsej i rezistuan shkatërrimit. Disa vrasje kanë ndodhur gjatë kësaj periudhe, më e njohura mbetet ajo e Skenderajt ku u vranë në natën e 8 -9 Nëntorit 2000 katër Ashkali që UNHCR-i sapo i kishte bindur të kthehen në shtëpitë e tyre . Ky barbarizëm racist nuk ndaloi përgjatë gjithë vitit 2000, në përbuzjen absolute të kontributit te ashkalive në çeshtjen shqiptare. Shihet mire se pika e përbashket midis rromëve dhe ashkalive nuk është as kombëtare, as kulturore, por të jene viktima të përsekutimeve të tilla.

Ne fakt problemi qendror është i lidhur me përbuzjen dhe me mungesën e besimit që anëtarët e këtyre grupeve ndeshin çdo ditë. Është arsyeja për të cilën do të ishte utopike, madje hipokrite, t’i trajtosh brenda ditës si qytetarët e tjerë. Do të ishte sikur të mohonim në të njëjtën kohë këtë përbuzje të dhimbshme dhe identitetin e tyre historik, ndërkohë që është e rëndësishme që ballkano-egjyptianeve t’i njihet një status minoriteti historik dhe ngritja në vlerë e identitetit të tyre duke e bërë më të njohur, dhe veçanërisht me kërkime dhe me arsim, që të luftohet moskuptimi me të cilin ata ndeshen. Disa shoqata propozuan hyrjen e një lënde të Egjyptit të lashtë si lëndë fakultative për fëmijët e këtij grupi, çka që do të kishte një vlerë simbolike të rivlerësimit kulturor dhe të hapjes së shpirtit drejt horizonteve më klasike të qytetërimit të lashtë të Mesdheut. Në realitet, aplikimi i këtij propozimi ndeshet me pamjaftueshmërine e kushteve të shkollimit nga e cila vuajnë shumë fëmijë ballkano-egjyptianë.

Ndryshimet e këtyre viteve të fundit kanë qenë një rast për Ashkalitë për t’u afirmuar, ose si të tillë për më të përmbajturit, ose si egjyptianë për më entuziastët, të dy termat duke shprehur përfundimisht dy pikpamje, njëra lokale dhe traditore, dhe tjetra intelektuale dhe e politizuar, të të njëjtit identitet. Janë konfliktet personale të mëpasshme midis grupeve ato qe bënë që këto emërtime të përdoren si emërtime për grupe gjoja të ndryshëm. Duhet vënë re se Askalitë e Ferizajt/Uroševac kanë arritur më mirë afirmimin e tyre, me disa intelektualë të rinj[16] të vendosur të mbrojnë njëherazi identitetin e tyre dhe njohjen e tyre si komb nga autoritetet shqiptare – çka nuk kaloi pa sulme të shunshme të rromëve proserbë jashtë vendit (serbi, Maqedoni, diaspora në Gjermani etj...). Megjithatë, ekuilibri etnik në Ballkan mund të arrihet vetëm falë zbatimit të së drejtës së tyre për t’u vetëidentifikuar lirisht dhe jo duke i përfshirë ata artificialisht në identitetin rrom.

Edhe pse elementet e ndryshëm të paraqitur këtu nuk janë diçka e re apo e panjohur, afrimi dhe bashkërendimi i tyre përbën njëfarë risie që pa dyshim do të ndeshet për vite akoma me kokëfortësinë e atyre që e kanë të vështirë të ndryshojnë shikimin e vet mbi atë me të cilën janë mësuar, sidomos me vizionin e padallimtë të një bashkësie heteroklite “magjupësh” (ose gjetkë “ciganësh” etj.), kategori kjo përbuzëse që jo vetëm mbulon shumë grupe me identitete të ndryshme por e cila mohon identitetin e secilit prej këtyre grupeve. Zëvendësimi formal i etiketës “magjup” me etiketën “rrom”, për të gjitha këto grupe të marra si një i vetëm  jo vetëm nuk e ndërron aspak vëzhgimin dhe trajtimin përbuzës si ndaj rromëve dhe egjiptasve, por mund të çojë në konflikte midis popullsive të ndryshme brenda një kohe relativisht të shkurtër, dhe shenjat e para të këtyre konflikteve po shfaqen tashmë. Paradoksalisht, kjo analizë do të ndeshet edhe me kundërshtimet e disa mbrojtësve të identitetit rrom, të cilët janë të bindur që të dallosh midis popujve që s’kanë gjë të përbashkët veç një etikete profane të vendosur në Mesjetë nga fshatarët bizantinë do të thotë, siç pretendojnë ata, “të përçash për të sunduar”. Atyre do t’u duhet ende kohë për të kuptuar se përkundrazi, përfshirja artificiale e balkano-egjiptasve në të njëjtin grup me rromët do t’u priste rrugën të dy grupeve për të afirmuar dhe zhvilluar identitetin e tyre dhe do të ishte zbatim i një formule ende më të rrezikshme: “ngatërro për të sunduar”. Në të vërtetë, të dallosh atë çka është e ndryshme nga pikëpamja historike dhe shkencore nuk është aspak përçarje; përkundrazi, është një metodë e efektshme për të krijuar një kontekst më të shëndoshë i cili do të përbënte një bazë më të fortë për solidaritetin midis shumë grupeve që janë tradicionalisht viktima të racismit – dhe është e qartë që kjo plagë nuk prek vetëm rromët dhe ballkano-egjiptasët.



[1] Këtë arrin t'a bëjë vjetori Ethnologue i Summer Institute of Linguistics, vendi më vend në të gjithë botën, megjithëse ai na ana tjetër e fryn artificialisht numrin e grupeve gjuhësore duke dalluar qënësi që nganjëhërë janë një. Mund të trajtojmë pras të dhënat e tij si maksimaliste.

[2] Emri serbo-kroat i këtij vendi të përmendur në betejën e Kosovës Polje (1389 – dmth « Fusha e mëllenve ») ka qenë i përdorur sidomos që nga fillimi i shekullit të XX, për të emëruar krahinën përkatëse, emri i lashtë i të cilës ishte Dardani, ndërsa në fakt ky emër lidhet vetëm me një pjesë të kësaj krahine, tjetra duke qenë Metohija (Dukagjin në shqip) : Kosovo kaloi në shqip në formën Kosovë. Frëngjishtja ka imagjinuar Cassovie ose Cossovie (Dictionnaire encyclopédique Larousse në 6 volume, botim i 1939, shtypur në 1945) kurse mjaft gjuhë kanë përkthyer këtë emër, si psh. gjermanishtja (Amselfed) ose greqishtja (??ts?f?ped?) ; forma sllave Kosovo u përhap në mediat evropiane me krijimin e Jugosllavisë së Titos. Për të përcaktuar Kosovë + Metohija / Dukagjin (ose « Kosmet ») ne preferojmë të përdorim termin e vjetëruar, por të padyshimtë dhe etnikisht asnjënjës. « Dardani ».

[3] Shih megjithatë dy mendime të qarta mbi këtë temë : http://rinchibarno.free.fr/menu.htm « Rroma under Stability Pact » i Rubin Zemonit e « Rroma and Rroma-related groups » i Saimir Miles ; sh. dhe raportin « Les Rroms dans le contexte des peuples sans territoire compact » paraqitur në kuadrin e seminarit të Këshillit të Evropës (Strasbourg, nëntor 2004).

[4] Nuk është e rallë të ndeshim nje « h » para fjaleve që fillojne me a~ : për shembull fjala turke alis veris kthehet në serbo-kroatishten e Bosnjes në hališ veriš « shkembim me përfitim të përbashket, tranzaksion ».

[5] Disa udhëheqes « egjiptasë », si Qerim Abazi, pretendojneë që termi « Ashkali » është rrallisht i përdorur nga të interesuarit për vetidentifikimin, por të gjitha konstatimet e mia në teren prej 30 vjetesh e zhgënjejnë këtë pohim. Ai deklaron se Ashkali, Esnaf (« zanatçi » < turk esnaf ustasi), Kovaç (farketar, në fakt emër i Ashkalinjve në Mal të zi), Magjup etj…janë në realitet nëngrupe egjiptasësh, gjë që nuk është verifikuar në asnjë mënyrë.

 

[6] Vëjmë re që ky emigrim ndodhi mbas persekutimit të madh të Dioklecianit kunder të krishterëve të Egjyptit – dhe që Ashkalinjte e Turqisë quhen Kipt, formë e rrjedhur, si « Kopt », nga greqishtja Aegyptos, por nëpëermjet arabishtes dhe jo nëpërmjet greqishtes. Përsa i përket shifrave, dihet që në mesjetë ata ishin gjithmonë të tepëruar e të shumëzuar me një faktor që arrinte 10 ose 100.

[7] Kjo « etimologji » na kujton atë të fjalës « Amerikë » në shqip : Ha merr ik ! e cila nuk ka pretenduar asjnëherë të jetë gjë tjetër përveç një shakaje.

[8] Ky term ka shkaktuar ngatërrime tek vëzhguesit superficialë, sepse në Prishtinë - ashtu si dhe në Maqedoni, por gjithashtu në Bullgari dhe në Korçë ( Shqipëri), termi arlie tregon rromët e parë të instaluar. Termi është turk si prejardhje, është semantikisht i motivuar (yer "vend" + li "prapashtesë") dhe mund domethënë të tregojë të gjithë autoktonët, pa lidhje specifike me rromët ose me këtë apo atë komb. Është kjo pikëpamje e fakteve, e parë nga brenda, që i mungon pjesës më të madhe të vëzhguesve, të cilët ndalen në një etiketë pa analizuar përmbajtjen e saj.

[9] Në të vërtetë, magjup mbulon në Kosovë në të njëjtën kohë rromët dhe Ashkalinjtë, ndërkohë që në fushe e Dukagjinit / Metohija bëhet shpesh një dallim midis magjup "Ashkali" dhe gabel "rrom".

[10] Duke marrë parasysh se në Evropën perendimore ka midis « ciganëve » mjaft grupe jo rrome me origjinë qoftë kelte (« Travellers »), qoftë gjermane (« Jenisch ») qoftë të panjohur (« Merchero », « Camminanti » dhe të tjera), nuk ka arsye që të gjithë « ciganët » e Evropës së gjerë të Lindjes, të vijnë patjetër të gjithë nga India dhe domethënë, të jenë rromë.

[11] Ne 1992 ata paraqiteshin si 100 000 në Dardani (120 000 në 2000 sipas Matica Askalija Jugoslavije e Novi Sadit) dhe 40 000 në Maqedoni.

[12] Turqit nuk dallojnë gjithmonë Kipt "Ashkali" dhe Çingene "rrom", aq sa në fjalorë të shumta, të dy janë përkthyer me Gypsy, Tsigane etj… Nga ana tjetër, me sa duket disa Kovaçë të Malit te Zi mund të jenë të lidhur me Ashkalinjtë. Fjalorët shqiptarë në përgjithësi i injorojnë fjalët gabel, arixhi, rrom etj… që tregojnë rromët. Ata paraqesin vetëm atë evgjit (shumë rrallë jevg) dhe e përkthejnë me Gypsy, tsigane - madje edhe Gitan ! Kjo absurditet tregon për mungesën e interesimit për këta njerëz, dmth për përbuzjen e qerqeve shkencore për ata

[14] Eshtë e vështirë të përcaktohet nëse, në atë kohë, ai fliste kështu për ashkalinjtë apo për rromët, të cilët prej injorancës mendohen akoma shpesh se janë me origjinë egjiptiane.

[15] Një proverbë  shqip : « Kur kishte arapi, u lye me vaj, kur s’kishte, u lye me hi ». Termi « arap » (ose « harap » në këtë kontekst i referohej jevgjitëve.

[16] Përbërësja fetare (islami, studimet e Kuranit etj) është diçka e afirmuar prej tyre dhe maskon aspektet e tjera mund të jetë si rezultat i mungesës së një gjuhe të pastër, pak a shumë si gitanët e pakulturuar të Spanjës të cilët mungesën e identitetit gjuhësor e forcojnë përmes forcimit të identitetit fetar (pentecotizmi).



Komento