IRDK

Egjiptian apo Ballkano-Egjiptian

foto

Data e publikimit: 05.12.2014-12:36 PM

Fazli Stollaj

Kur popujt e Ballkanit e luftonin shtypjen e Perandorive të mëdha me flamurin etnik, ata gjithashtu i shtypen dhe përbuzen edhe grupet e vogla e të pa fuqishme, ndër të cilët edhe grupin etnik tani të njohur si Egjiptian të Ballkanit apo Ballkano-Egjiptian, dhe romët. Ne si grup i vogël etnike, duke qenë në gjendje të rendë dhe pa mbështetje, u mbështetëm më shumë te popujt që gjenim të përbashkëta - feja por edhe vuajtja. Kështu ishim më shumë pranë shqiptareve, për shkak të besimit fetar por edhe për faktin se shqiptarët ishin vazhdimisht të shtypur nga popujt tjerë. Edhe romët ishin në gjendje të rendë, por vetëm ne u gjendem pranë shqiptareve me identitet të njëjtë me ta: flisnim në shtëpi shqip, mbanim plis të bardh mbi kokë, festonim festa të njëjta, këndonim në shqip, etj., por edhe diskriminoheshim shqip. Me romët gjithmonë na lidhi vuajtja dhe ngjyra, ndërsa për shqiptarët dhe popujt tjerë nuk ishim 'racë fisnike'. Identiteti i veçantë etnik u ruajt në psikologjinë e njerëzve dhe u kultivua në martesa vetëm brenda komunitetit, zanate, etj.

Grupi ynë etnik, është njohur me stigmatizma si: magjup, evgjit, majupci etj., e në disa krahina, edhe romët u quajtën magjup, por aty ne ishim hashkali. Beteja publike për dhënien fund të identifikimit etnik me etnitë tjera (shqiptarë, turk, jugosllav, musliman etj.) filloi me 1990 në Maqedoni të RSF të Jugosllavisë, atëherë kur përmes nënshkrimit të një peticioni u mundësua që në regjistrimin e vitit 1991, ata që dëshirojnë mund të deklaroheshin edhe 'Egjiptian të Jugosllavisë', gjë që me 1981 dhe 1971 kjo e drejtë ishte mohuar. Ky veprim i asaj kohe kishte edhe karakter të kthimit të dinjitetit që ishte nëpërkëmbur përmes përbuzjes së vazhdueshme nga etnitë tjera. Veprimtarët e vitit 1990 morën guximin që të bëjnë korrigjim në thirrjen që identifikon përkatësinë tonë etnike. Egjiptian - diçka që nuk e kishim ditur. Dhe kjo nuk mund të kalohej lehtë, prandaj edhe sot pas 24 viteve kemi lëkundje rreth identitetit të korrigjuar. 

Pa u lëshuar në detaje, do të veçoj logjikisht vendimin e veprimtarëve që mbollën Egjiptianizmin në Ballkan.

1. Pas shembjes së sistemit komunist, liria e shprehjes i dha zë intelektualëve të komunitetit për të shfaqur haptas identitetin e veçantë etnik, si përpjekje për të mbytur përbuzjen por edhe për të realizuar të drejtat që i takonin grupeve etnike (punësimi dhe të drejtat tjera sociale në proporcion me numrin e popullsisë).

2. Në komunitet, në vazhdimësi, është përgojuar Misiri si vend i origjinës së komunitetit.

3. Edhe studiues të fushës së etnologjisë e historisë kishin treguar sipërfaqësisht lidhur me mundësinë që Egjipti të jetë vend i origjinës së komunitetit.

4. Etnonimi më i përhapur 'magjup', përfshinte 'përbuzjen' por edhe identifikonte romët në disa rajone.

5. Egjiptian mund të jetë derivat i etnonimeve: magjup, evgjit, majupci etj.

6. Egjiptian janë shtetasit e Egjiptit.

7. 'Egjiptian të Jugosllavisë', janë magjupët, hashkalitë, mujupci, etj, me prejardhje nga Egjipti që jetojnë me shekuj në shtetin e Jugosllavisë.

Vendimi për të identifikuar veten si Egjiptian, mund të përmblidhet me frazën: 'edhe ne magjupët e përbuzur me shekuj, do të deklarojmë me krenari etninë tonë, duam të jemi të barabartë me etnitë tjera, nuk kemi asgjë të përbashkët me romët, dhe jemi krenar për prejardhjen tonë nga Egjipti i Lashtë'.

Me shembjen e komunizmit në Jugosllavisë dhe Shqipëri, Egjiptianët e Jugosllavisë u zgjeruan në  Egjiptianë të Ballkanit. Pas vitit 1999, në Kosovë u promovua identiteti 'Shqiptaro-Egjiptian' dhe 'Egjiptas', por edhe 'Ashkali'. Me Kornizën Kushtetuese të Kosovës, dhe tani me Kushtetutën e Republikës së Kosovës njihemi si 'Egjiptian'. Në periudhën 24 vjeçare, Egjiptianizmi në Ballkan u shfaq me emërtimet: 'Egjiptianët e Jugosllavisë', 'Egjiptianët e Shqipërisë', 'Ballkano-Egjiptianët', 'Shqiptaro Egjiptianët', 'Egjiptasit' dhe 'Egjiptianët'. Pas vitit 1999 emërtimi 'Ashkali', përpos në Rrafshin e Kosovës, u përhap edhe në pjesët tjera që nuk ishte njohur deri atëherë. Gjithashtu akronimi racist RAE, i shpikur nga Organizma Ndërkombëtar dhe të mbështetur edhe nga element të caktuar Egjiptian, e sidomos nga romët, që prej kur u themeluan institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes në Kosovë, ishte emërtimi publik më i përdorur për komunitetin Egjiptian.

Edhe pse, ndoshta termi 'Egjiptian' është ruajtur në etnonimet 'magjup', 'evgjit', etj., identifikimi si Egjiptian në mes të Ballkanit, tingëllon artificial.  Realiteti është se populli me vështirësi e pranon të identifikohet si 'Egjiptian'. Në anën tjetër, sikur etnonimi 'magjup' të mos ishte përbuzës dhe të mos identifikonte edhe romët, atëherë identiteti ynë etnik origjinal do të ishte 'magjup', ndërsa, ashtu sikur etnitë tjera që kanë 'tregimin' e tyre për origjinën e lashtë, edhe ne e kemi tregimin tonë për prejardhjen tonë nga Egjipti i Lashtë. Prandaj, 'ndërtimi i tregimit' për prejardhjen tonë etnike nuk është faktori absolut për identifikimin tonë. Prejardhja jonë etnike nuk duhet të shërbej si kallëp për identitetin tonë sepse kjo mund të rezultojë e dështuar. Ne kishin identitet të veçantë edhe para vitit 1990, dhe për këtë ishim të vetëdijshëm edhe kur publikisht identifikoheshim me etnitë tjera.

Tregimi mbi prejardhjen tonë etnike duhet të shërbej për të treguar krenarinë tonë, por asesi për të ndryshuar identitetin. Ne kemi identitet 'Ballkanik', në masë të madhe identitet shqiptar, dhe si i tillë nuk duhet provohet të ndryshohet. Nëse neve, me pa të drejtë dhe duke u shërbyer me racizëm, popujt e etnive tjera na identifikojnë me romët, sjellja jonë me 'nacionalizëm' si 'faraonët e Egjiptit antik', na bënë jo serioz. Mjafton të sillemi origjinal ashtu siç jemi, me gjuhën që flasim, me kulturën që e kemi kultivuar me shekuj dhe të ndihemi krenar edhe për prejardhjen.

Sipas informatave që i kam, Egjiptianët e Egjiptit ndihen krenar që janë arab, e jo që janë pasardhës të faraonëve. Ka edhe grupe tjera etnike që nuk identifikohen me popullin prej të cilit e kanë prejardhjen, p.sh. romët, nuk identifikohen si indian edhe pse origjinën e kanë prej Indisë.

'Magjup', si etnonim origjinal por përbuzës, të identifikuar edhe romët në vise e Hashkalive, si duket është dashur të korrigjohej. Mirëpo ruajtja e veçantisë nga etnitë tjera, dhe kultivimi i kulturës ballkanike për shekuj me radhë, nuk duhet të avullohet tani nga zbulimi i tregimit mbi prejardhjen etnike.

Me tregimin tani të ndërtuar se ne erdhëm në Ballkan në kohën kur Egjiptin e sundonin faraonët, të identifikuar me etnonime shumë përbuzëse  por që mund të interpretohen si etimologji me Egjiptin, me identitet ballkanik dhe aspak arab por të veçantë nga të gjithë tjerët, nën presionin e të tjerëve për ikje nga etnia reale, të diskriminuar nga institucionet demokratiko-ballkanike, gjendemi në dilemë se a duhet të jemi 'Egjiptian të pastër' apo Ballkanas të veçantë nga të tjerët dhe me prejardhje Egjiptiane.

Identifikimi jonë etnik duhet të jetë unik në të gjitha vendet e Ballkanit. Nuk tregohet aspak identitet i veçantë nga Egjiptianët e Egjiptit, sikur thuhet 'Egjiptianët e Shqipërisë', 'Egjiptianët e Kosovës', 'Egjiptianët e Maqedonisë', ..., 'Egjiptianët e Egjiptit', etj. Këtu, sikur dalin shumë 'tipe' të Egjiptianëve. Duhet ndalur këtu: Egjiptianët e Egjiptit, dhe Komuniteti me prejardhje etnike nga Egjipti por autokton në Ballkan. Për të ruajtur origjinalitetin e identitetit tonë të kultivuar me shekuj në Ballkan, duhet bërë dallim në mes të Egjiptianëve-arab të Egjiptit dhe Ballkanasve me prejardhje nga Egjipti i Lashtë.

Tani kur ne kemi mundësi të bëjmë korrigjime lidhur me fjalët që do të shërbejnë për identifikimin tonë etnik, atëherë është e logjikshme që në fjalët e korrigjuara të përfshihet Ballkani si ballkanas që jemi dhe Egjipti si atdhe i të parëve tanë. Se a duhet të jetë Ballkani para apo prapa Egjiptit, varet në cilën gjuhë e shqiptojmë. Si duket në shqip, është pak më e ndërlikuar kombinimi i dy fjalëve për të nxjerr një etni. Prandaj të gjejmë përgjigje në pyetjen: Si quhet njeriu, grupi etnik i të cilit para rreth 20 shekujve, ka emigruar nga Egjipti i Lashtë dhe është ndal për të jetuar përgjithmonë në Ballkan?


Komento