IRDK

Xhevdet Neziraj në Seancën e datës 27 Mars 2014

foto

Data e publikimit: 05.04.2014-01:54 AM

Fjala e deputetit të IRDK-së, z.Xhevdet Neziraj në Seancën e datës 27 Prill 2014 në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

 

I nderuar zoti kryetar, Kolegë deputetë, Ministra,

Unë do ta ngre një çështje që e kam ngritur edhe disa herë në këtë Kuvend, që të gjitha institucionet e Kosovës, në aspektin e punësimit, ashtu siç e ka me ligj për mbrojtjen dhe të drejtën e komuniteteve, nuk është duke i kryer ato obligime.

Edhe zoti Krasniqi tha që në Poloni na kanë lavdëruar për legjislacion shumë të mirë, por na kanë kritikuar për shkak të moszbatimit të ligjeve. Prandaj, ne këtu si ligjvënës jemi që ato ligje të zbatohen me përpikëri. Dihet që Ligji për mbrojtjen dhe të drejtat e komuniteteve e ka një nen, në të cilin thuhet që të gjithë pjesëtarët e komuniteteve të jenë punësuar në ndërmarrje publike, bie fjala në KEK, në PTK, në Aeroport, dhe në të gjitha këto ndërmarrje asnjë pjesëtar i komunitetit egjiptian nuk është i punësuar. Atëherë kjo është shkelje e ligjit drejtpërdrejt.

Ne e dimë që kemi shumë mekanizma për mbrojtjen e komuniteteve, por mund të them lirisht se janë shumë sterilë. Për shembull, Komisioni për Komunitete, Këshilli Konsultativ për Komunitete, i cili merret vetëm me këshilla, dhe shumë mekanizma tjerë.

Unë jam i interesuar që të gjithë këta mekanizma të bien poshtë dhe të fillojë me të vërtetë integrimi i sinqertë i disa komuniteteve, të cilat nuk janë të integruara në shoqërinë kosovare. Unë dua ta përmend vetëm raportin e fundit të Human Rights Watch, i cili thotë që komuniteti egjiptian është i diskriminuar në Kosovë. Unë nuk dua që në raportet e organizatave të tilla të dalin raporte të tilla, kur institucionet tona vendore mund t’i kryejnë këto obligime ligjore.

Nuk kërcet kiameti nëse në Policinë e Kosovës mund të ketë më tepër pjesëtarë të komunitetit egjiptian. E marrim rastin e Gjakovës, ku jetojnë mbi 5 000 pjesëtarë të komunitetit egjiptian dhe nuk është asnjë polic. Ndoshta e meta e tyre është sepse nuk kanë përvojë në MPB, ndoshta ajo është e metë, sepse shkolla të mesme ka, përgatitje shkollore kanë, mirëpo e meta është ndoshta nuk kanë përvojë. Dhe, derisa merret me urdhëresë të pranohen 300 pjesëtarë të këtij ose atij komuniteti, është mirë që të punësohen edhe disa pjesëtarë të komunitetit egjiptian. Kjo duhet të ndodhë edhe në Doganë, kjo duhet të ndodhë edhe në institucionet vitale të shtetit.

Shpeshherë themi dhe i marrim shembull Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe para 10 vjetëve unë isha atje, e në asnjë institucion nuk shihja njerëz të një race, por shihja edhe afrikano-amerikanë, shihja edhe europiano-amerikanë, shihja edhe hespanikë, prandaj edhe Kosova duhet të jetë e tillë, dhe jo vetëm në letër, jo vetëm të jetë multietnike, por në të vërtetë Kosovë multietnike, po në të vërtetë të jetë në praktikë multietnike, të jetë e punësuar dhe nuk është sikur kohëve të fundit, shumë subjekte politike janë duke e marrë si ditë të kiametit nëse bëhen edhe vende të rezervuara edhe një mandat.

Unë dua të them dhe jam le të hiqen vendet e rezervuara, por le të bëhet integrimi i plotë, le të jenë njerëz të mi edhe në Postë, le të jenë njerëz të mi edhe në KEK, le të jenë njerëz të mi edhe në Polici, jo vetëm punëtorë fizik, jo vetëm sharrëxhinj , por të jenë asi qysh i përket edhe në bazë të përgatitjes shkollore dhe superiore.

Unë besoj që edhe komuniteti egjiptian ka njerëz të tillë, ka konkurse të tilla, po asnjëherë ose nuk thirren ose anashkalohen. Faleminderit!

 



Komento