IRDK

Identiteti i pa kompletuar dhe e ardhmja e zbehtë e komunitetit Egjiptian-Ashkali në Kosovë

foto

Data e publikimit: 27.03.2017-09:25 PM

Katër vendet e rezervuara për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, të definuara me kushtetutën e Kosovës,

 kanë bërë që përfaqësuesit politik të këtyre komuniteteve, në veçanti ashkalitë dhe egjiptianët, më shumë të merren me historinë e këtyre komuniteteve se sa të përqendrohen në përmirësimin e pozitës së vështirë të këtij komuniteti. Lëshimi në temat populliste të komunitetit nga ana e politikanëve, siç është gara në mes entiteteve egjiptian dhe ashkali, lidhur me origjinën e vërtetë dhe etiketimi i njeri tjetrit, bëhet parasë gjithash për përfitime politike, pasi që te këto komunitete ekziston konkurrenca për vendet e garantuara në Parlament. Qasja e gabuar e klasës politike lidhur me identitetin etnik të entiteteve egjiptian ashkali dhe përdorimi i kësaj çështje si monedhë politike, ka rezultuar në fuqizimin e identitetit përmes akronimit RAE. Kushtet e vështira të jetës që përfshinë një pjesë të mirë të komunitetit egjiptian, ashkali, nuk zgjidhen me ndihma humanitare ad-hoc, sa për të marrë fotografi për facebook nga politikanët, por këto probleme duhet të adresohen për zgjidhje nga shteti.

Duke përfituar nga prezenca ndërkombëtare në Kosovë dhe shfaqja e organizatave politike, komunitetet e vogla etnike u bënë pjesë e kornizave ligjore të Kosovës, gjegjësisht përfituan benificione e të qenurit komunitet pakicë. Këto komunitete të vogla kanë përfaqësues politik në Parlamentin e Kosovës jashtë kritereve për zgjedhjen e deputeteve nga subjektet politike të shumicës. Duke i pasur përfaqësuesit në Parlament, shteti e ka la borxhin për këto komunitete. Topi është te deputetet. Deputetet e komunitetit egjiptin-ashkali do të duhej të ishin të vetëdijshëm se e kanë marr përgjegjësinë për komunitetin që kategorizohen si komunitet i margjinalizuar. Veçanërisht në kohën e fundit shohim një ‘etno nacionalizëm’ të komuniteti egjiptian e ashkali, i manifestuar veç e veç, e i nxitur nga përfaqësuesit politik. Ky ‘etno nacionalizëm’ i kopjuar nga popujt tjerë të Ballkanit shfaqet për të demonstruar një ‘urrejtje’ në mes të egjiptianëve e ashkalive. Këto shfaqje, që dy tre vjet, i shohim në mediat sociale, sidomos në muajin shkurt dhe qershor, në ditët kombëtare të këtyre komuniteteve. Këto manifestime, që nxitin më së shumti urrejtje në mes egjiptianëve dhe ashkalive, bëhen me fonde të shtetit që sigurohen nga deputetet.

Mbajtja e politikës së komunitetit egjiptian-ashkali brenda temës etnike është në esencë paaftësi e deputeteve të komunitetit për të zgjedhur rrugën e përparimit të komunitetit. Në veçanti, deputetet tanë mbahen peng nga disa veprimtar  e ish politikan të diasporës sipas të cilëve bartës të konsolidimit të identitetit etnik duhet të jenë deputet. Veprimtarët e diasporës do të duhej të angazhohen për krijimin e mekanizmave të përbashkëta dhe të pavarura dhe jo politike. Pa aftësia e konsolidimit të identitetit të veçantë të egjiptianëve-ashkalive qëndron në mënyrën e qasjes së kësaj çështje. Pothuajse gjithmonë, kur trajtohet identiteti i përbashkët, fillohet nga etnogjeneza. Historia është një pyll në të cilin vështirë gjendet rrugëdalje, në veçanti për ne që nuk jemi marrë me gjurmime historike e kulturore. Pozicionimi dhe kontestimi i rrëfimeve mbi origjinën e egjiptianëve e ashkalive, duke e minimizuar realitetin e tanishëm për identitet të njëjtë, po e vendos identitetin tonë në luhatje të madhe. Kjo është e dëmshme për faktin se ky identitet i përbashkët dhe i veçantë nga të tjerët është manifestuar dhe kultivuar nga shumë gjenerata para nesh.

Pjesëtaret e komunitetit nuk i kanë borxh politikanëve, dhe atyre që i mbajnë ata për fyti, që  identiteti ynë të mbetet përgjithmonë i pa qartë. Gjithashtu askush nuk i ka borxh politikanëve që për mungesë të vizionit politik të nxitin urrejtje të rreme në mes këtyre entiteteve. Mjafton që dimë se egjiptianët e ashkalitë janë së bashku këtu me shekuj. Janë këtu së bashku si dajë e nip, kushëri, si vëllezër. Nuk janë pengesë dilemat e origjinës për t’u konsoliduar si një bashkësi etnike dhe bashkërenditur punët tona. Ka rendësi që të jetojmë si vëllezër, të duam barazinë, të përballemi me sfida dhe të jetojmë me shpresë.



Komento