Me datën 13.10.2013, në Pejë, Prof.Dr.Rubin
Zemon ka ligjëruar para studentëve dhe pjesëmarrësve tjerë të komunitetit
egjiptian temën " Ballkano-Egjiptianët: Identiteti, mitologjia, të dhënat
historike dhe kultura". Dr.Zemon theksin e vendosi te Identiteti duke i
veçuar etnonimet dhe egzonimet, entonimet që shumica prej tyre i referohen Egjiptit
si: Gjupci, Egjupci, Jupci, Ejupci, Ojupci , Agupti, Gjyp, Egjup,
Evgjit, Jevg, Magjup, Kepti, K’pti/Kiptijan, Misirli, Giftoi, Gitanos,
Gitans, Gypsy, pastaj etnonimet që ndërlidhen me profesionin: Kovachi, Esnaf, Ashkali dhe etnonimet tjera si: Faraon, Firaon, Farvan,
Gjivgjan etj. Paraqitjet e para publike u bënë pas proceseve liberale të ish
Jugosllavisë ku me kushtetutë e lejua deklarimi i përkatësisë etnike. Deklarimi
u bë në vitin 1971 dhe vitin 1981 por pasi që nuk kishte grafe për egjiptianët,
këta u kategorizuan si "të tjerë". Pra deklarimet e para ndodhen në
vitin 1980 në Maqedoni, por edhe në
Kosovë, Bullgari dhe Shqipëri ka pas shenja të paraqitjes së identitetit etnik
Egjiptian. Në vitin 1999, pas intervenimit ndërkombëtar, komuniteti ndërkombëtar ishte befasuar me
paraqitjen e komunitetit Egjiptian në Kosovë, ku edhe u cilësua në forma të
ndryshme si "krijesa të Milosheviqit", si "romë që flasin shqip", si "krijesa
të intelektualëve maqedon e serb" etj. Në këtë kohë, pra në vitin 1999
kishim dy rryma: Rryam Egjiptiane - që origjinën e paraqet nga Egjipti, dhe
rryma Ashkali - që përdorin emërtimin e tyre tradicional.
Egjiptianët në Shqipëri "nuk pranohen" zyrtarisht nga
shteti shqiptar me arsyetimin se nuk kanë dellime në gjuhë, religjion, kulturë
etj, duke pretenduar se dallimi i vetëm është në ngjyrë, duke shfaqur shenja të
racizmit ndaj Egjiptianëve në Shqipëri.
Shumë raporte ndërkombëtare e kanë evidentuar diskriminimin racor nda
egjiptianëve në Shqipëri. Prof. Zemon paraqiti edhe një pasqyrë lidhur me
Egjiptianët në Maqedoni, Serbi dhe Mal të Zi.
Lidhur me të dhënat historike prof. Zemon
përmendi Herodotit, ndërsa arkeologjia dhe dokumente nga Vatikani dhe Bizanti
trgojnë lidhur me praninë e Egjiptianëve në Ballkan. Prania e Egjiptianëve në
Ballkan mësohet edhe nga mitologjia si miti i Kadmus, Hefestus, Minotaur, Jason
dhe Aleksandri i Madh. Dëshmi mbi praninë e tyre në Ballkan e gjejmë edhe në
dokumentat që tregojnë për konfliktet kishtare krishtere monofitike të
Aleksandrisë dhe Vatikanit, ku Egjiptianët e Ballkanit ishin viktima të këtyre
konflikteve. Në këtë ligjeratë u përmend edhe konfuzioni me romët në shekullin
e XIV kur romët erdhën në Ballkan, dhe gjendjen e grupeve etnike gjatë perandorisë
otomane ku etnia e kishte humbur rëndësinë karshi përkatësisë fetare, pra kur
organizimi ishte bërë në milete. Profesor Zemon përmendi lëvizjet nacionale ku në kongresin e Berlinit me 1878 u njohën
shumë shtete nacionale ndërsa egjiptianët e Ballkanit mbetën të ndarë në këto
shtete ku edhe iu nënshtruan asimilimit. Ai përmendi edhe modelin arian, ku
popujt paragjykoheshin sipas ngjyrës dhe kjo ishte shumë e dëmshme për
egjiptianët sepse me paragjykime u kategorizuan me grupet tjera që përngjanin.
Kjo ishte e dëmshme veçanërisht për shkak se modeli arian u instalua në
shkollat evropiane dhe të gjithë që shkolloheshin në këto shkolla nuk bënin
dallime në mes të egjiptianëve dhe romëve. Dr.Zemon përmendi edhe metodat e
testimeve gjenetike përmes ADN-së për të përcaktuar prejardhjen etnike. Ai
përmendi kromozomin E-M78 i cili dominon në Tebe të Egjiptitn ndërsa gjendet
edhe te 44% e Grekeve në Peloponez, 45.6% te shqipfolësit e Kosovës, 34.4% te
shqipfolësit e Maqedonisë.
Ligjëratën e përcjellën edhe shumë pyetje nga të
pranishmit të cilët morën përgjigje nga Dr.Rubin Zemon.