Letër përshëndetëse nga Prof.Dr.Marcel Courthiade me rastin e botimit të librit

Irdk

e hënë, 20 maj 2013

Vetëm drita e shkencës mund të shkrijë errësirat e paragjykimeve politike që kanë trajtuar egjiptianët si një farë rimorkoje mbas kërrit rrom.

Me rastin e botimit të librit "Antropologjia Socio-Kulturore e Egjiptianëve në Ballkan" të autorit Dr.Rubin Zemon në Prishtinë, në pamundësi për të marrë pjesë në promovim, përmes letrës me përmbajtje vijuese e kanë përshendetur:

- Prof.Dr. Marcel COURTHIADE, shefi i katedrës së gjuhës e kulturës rrome në universitetit të Parisit, komisari i Bashkimit ndërkombëtar të Romëve për gjuhën e të drejtat gjuhësore
- Jeta DUKA, ish-pedagoge në Universitetit të Parisit, e ngarkuar me mësime në Universitetit Aleksandër Xhuvani të Elbasanit

- Saimir MILE, prof. vizitues në Universitetin e Parisit

I dashur Rubin,

Për shkak të një ristrukturimi te universitetit në Paris, fatkeqësisht nuk mund të marrim pjesë në tubimin tuaj, me gjithë interesin e kënaqësinë që patëm kur morëm lajmin. Ky hap që bën dr. Rubin Zemon është vendimtar për përhapjen mbarë evropiane të njohurive të grumbulluara lidhur me ekzistencën, historinë e kulturën e egjiptianëve të Ballkanit. Ne, si rromë, gjithmonë kemi ndarë, jo vetëm me kombin vëlla egjiptian, por edhe me kombet e tjera të Ballkanit, nga shqiptarët e deri tek serbët, nga grekët e deri tek arumunët, nga maqedonasit e deri tek bullgarët, nga malazezët e deri tek rumunët, nga gagauzët e deri tek hebrenjtë, nga armenët e deri tek pomakët, një histori të begatë, me vuajtje por edhe me një vëllazëri të gdhendur fort në traditën tonë. Doktori Rubin Zemon ka hulumtuar nga kovaçët e Malit të Zi e deri tek Egjupcit e Madanit në Bullgari, si dhe midis këptive në Turqi, por materiali që ai ka mbledhur është vetëm një portë që hapet drejt kërkimeve ende më të thella nëpër arkivat osmane e shtetërore të Ballkanit si dhe gojëdhënat e popujve ballkanikë. Vetëm drita e shkencës mund të shkrijë errësirat e paragjykimeve politike që kanë trajtuar egjiptianët si një farë rimorkoje mbas kërrit rrom. Ata nuk janë rimorko e askujt, kanë identitetin e vet, historinë e vetë, trashëgiminë e vetë, pjesërisht të përbashkët me kombet e tjera të Ballkanit sepse gjithmonë kemi jetuar në harmoni e kemi ndarë e shkëmbyer me të tjerët, por edhe me origjinalitetin e vet, pjesë përbërëse e larmisë kulturore ballkanase. Pse të mohohet një nga lulet më të bukura të buqetës ballkanase ? Siç thoshte arkeologu Shliman, zbuluesi i Trojës, në histori asnjëherë nuk duhet ndenjur në statu quo. Ky parim sikur e ka frymëzuar doktorin Rubin Zemon, por edhe vazhdon përpara sepse kohët e fundit kemi gjetur pse egjiptianët janë trajtuar në perandorinë osmane si një bashkësi së bashku me armenët, çka është një shembull se si historia e një kombi mund të shpjegojë historinë e nj; kombi tjetër. Dhe këtu ka vend për studime të mëtejshme për brezat e ardhsh;m. Edhe njëherë përgëzojmë këtë punë të arritur shumë mirë dhe bashkohemi me gëzimin tuaj në promovimin e këtij libri.


Irdk

Ky është web site zyrtar i partisë politike Partia Egjiptiane, IRDK. Të gjitha informacionet e publikuara janë e drejt autoriale e partisë. Administrimi i web site bëhët nga Partia Egjiptiane - IRDK.

Irdk

info@irdk-kosova.org

© 2024 - Fazli Stollaj