Me rastin e botimit të librit
"Antropologjia Socio-Kulturore e Egjiptianëve në Ballkan" të autorit
Dr.Rubin Zemon në Prishtinë, në
pamundësi për të marrë pjesë në promovim, përmes letrës me përmbajtje vijuese e
kanë përshendetur:
- Prof.Dr. Marcel COURTHIADE, shefi i katedrës së gjuhës e kulturës rrome në
universitetit të Parisit, komisari i Bashkimit ndërkombëtar të Romëve për
gjuhën e të drejtat gjuhësore
- Jeta
DUKA, ish-pedagoge në Universitetit të Parisit, e ngarkuar me mësime në
Universitetit Aleksandër Xhuvani të Elbasanit
- Saimir
MILE, prof. vizitues në
Universitetin e Parisit
I dashur Rubin,
Për shkak të një ristrukturimi
te universitetit në Paris, fatkeqësisht nuk mund të marrim pjesë në tubimin
tuaj, me gjithë interesin e kënaqësinë që patëm kur morëm lajmin. Ky hap që bën dr. Rubin Zemon është
vendimtar për përhapjen mbarë evropiane të njohurive të grumbulluara lidhur me
ekzistencën, historinë e kulturën e egjiptianëve të Ballkanit. Ne, si rromë,
gjithmonë kemi ndarë, jo vetëm me kombin vëlla egjiptian, por edhe me kombet e
tjera të Ballkanit, nga shqiptarët e deri tek serbët, nga grekët e deri tek
arumunët, nga maqedonasit e deri tek bullgarët, nga malazezët e deri tek
rumunët, nga gagauzët e deri tek hebrenjtë, nga armenët e deri tek pomakët, një
histori të begatë, me vuajtje por edhe me një vëllazëri të gdhendur fort në
traditën tonë. Doktori Rubin Zemon ka hulumtuar nga kovaçët e Malit të Zi e
deri tek Egjupcit e Madanit në Bullgari, si dhe midis këptive në Turqi, por
materiali që ai ka mbledhur është vetëm një portë që hapet drejt kërkimeve ende
më të thella nëpër arkivat osmane e shtetërore të Ballkanit si dhe gojëdhënat e
popujve ballkanikë. Vetëm drita e shkencës mund të shkrijë errësirat e
paragjykimeve politike që kanë trajtuar egjiptianët si një farë rimorkoje mbas
kërrit rrom. Ata nuk janë rimorko e askujt, kanë identitetin e vet, historinë e
vetë, trashëgiminë e vetë, pjesërisht të përbashkët me kombet e tjera të
Ballkanit sepse gjithmonë kemi jetuar në harmoni e kemi ndarë e shkëmbyer me të
tjerët, por edhe me origjinalitetin e vet, pjesë përbërëse e larmisë kulturore
ballkanase. Pse të mohohet një nga lulet më të bukura të buqetës
ballkanase ? Siç thoshte arkeologu Shliman, zbuluesi i Trojës, në histori
asnjëherë nuk duhet ndenjur në statu quo. Ky parim sikur e ka frymëzuar
doktorin Rubin Zemon, por edhe vazhdon përpara sepse kohët e fundit kemi gjetur
pse egjiptianët janë trajtuar në perandorinë osmane si një bashkësi së bashku
me armenët, çka është një shembull se si historia e një kombi mund të shpjegojë
historinë e nj; kombi tjetër. Dhe këtu ka vend për studime të mëtejshme për
brezat e ardhsh;m. Edhe njëherë përgëzojmë këtë punë të arritur shumë mirë dhe
bashkohemi me gëzimin tuaj në promovimin e këtij libri.